Milani do Ibrën, por kushton shumë

Zlatan Ibrahimoviç është dëshira e madhe e Milanit për merkaton e verës, por vështirë se shtatlarti suedez do të transferohet te kuqezinjtë, jo sepse Ibra nuk është dakort me një transferim të  tillë, po për faktin se kuqezinjtë nuk kanë mundësi financiare për të rikthyer në skuadër ish- sulmuesin e Paris Saint Germain. Diçka të tillë e ka zbuluar për mediat adminstratori i deleguar i Milanit, Adriano Galiani. Ky i fundit në një intervistë ka theksuar se për të nuk është problem të takohet me menaxherin e suedezit Mino Raiola, por të paguajë Zlatanin.
Galiani foli edhe kroatin e Realit, Mateo Kovaçiç e ardhmja e të cilit është lidhur shpesh me Milanin gjatë ditëve të fundit. “Të shohim se çfarë do të ndodhë”, u shpreh administratori i deleguar kur u pyet për këtë temë. Për Karim Benzema, Galiani tha se nuk ka patur asnjë kontakt mes bomberit francez dhe klubit kuqezi, ndërkohë që shprehu keqardhjen që Fernando Torres u largua pa lënë gjurmë nga Milani teksa tashmë po shkëlqen me Atleticon e Madridit. Merkato ishte çështja kryesore e diskutimit të Galianit me gazetarët, me drejtuesin e 7-herë kampionëve të Europës që zbuloi se e ardhmja e Stephan El Shaarawy-it është në dorë të Romës që brenda datës 21 dhe 22 qershor duhet të vendosë nëse do ta blejë përfundimisht kartonin e Faraonit.
Në Suedi dhe Angli janë të bindur se Zlatan Ibrahimoviç do të luajë sezonin e ardhshëm me fanellën e Manchester United. Në të vërtetë me mbërritjen eventuale të ortakëve kinezë te Milani, e ardhmja e tij mund të ngjyroset sërish në kuqezi. Nëse lojtari pak ditë më parë deklaroi se e ka bërë zgjedhjen e tij, ndërsa tani hyn në skenë agjenti i tij Mino Raiola, për t’i mbajtur të gjithë pezull. “E ardhmja e Ibrahimoviç është ende e paqartë dhe nuk e kuptoj se përse të gjithë insistojnë me Manchester United, deklaroi Raiola për të përditshmen suedeze “Expressen” duke shtuar. Në fund do ta shikoni që do të mbeteni të gjithë të befasuar”.
Pra, gjithçka rikthehet në pikën e fillimit, dhe zërat për të ardhmen e Ibrahimoviç do të vazhdojnë me Raiolën që shpjegoi. ”Kemi marrë disa oferta nga Premier League dhe nga klube të tjerë europiane, nuk ka nxitim, pasi ne do të vlerësojmë projektet. Nuk do ta zbulojmë të ardhmen e Ibrahimoviç para Europianit. Duam t’i bëjmë gjërat për së mbari dhe na intereson cilësia e projektit. Dëgjoj të flitet vetëm për United, por nuk ka mbaruar, e ardhmja e tij mbetet e pasigurtë. E sigurt është që nuk do të tërhiqet nga futbolli, deri sa të kem frymë, do të bëj të mundur që kjo të mos ndodhë”.

Exit mobile version