Milani do rikthimin e Ancelottit

Drejtuesi i Milanit, Paolo Maldini, është duke i shqyrtuar mundësitë për ta kthyer trajnerin e Napolit, Carlo Ancelotti, në krye të skuadrës kuqezi, sipas mediumit italian Tuttosport.

Pas një periudhe plot telashe në San Paolo të Napolit, e ardhmja e Carlo Ancelottit duket e pasigurt dhe mediumet italiane thonë se ai duhet të bëjë ndryshime thelbësore në rezultate menjëherë nëse do ta mbajë pozitën e trajnerit të Napolit.

Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, e urdhëroi skuadrën ta nsië një kamp stërvitor pa ndërprerje për shkak të formës së dobët, mirëpo kjo shkaktoi një kaos në klub pasi që lojtarët dhe trajneri i injoruan urdhrat dhe shkuan nëpër shtëpitë e veta.

Tani, Tuttusport raporton se Ancelotti ka shumë gjasa të kthehet te kuqezinjtë në fund të këtij sezoni, veçanërisht nëse Maldini mbetet drejtor teknik i klubit edhe për më tutje.

60-vjeçari kishte qenë trajner i Milanit mes viteve 2001 dhe 2009, duke e fituar një herë titullin e Serisë A dhe dy herë atë të Ligës së Kampionëve – me një skuadër ku kishte yje si Kaka, Andriy Shevchenko dhe vetë Maldini.

Milani po kalon në një formë më të mirë që kur në pozitën e trajnerit është emëruar Stefano Pioli, megjithatë kuqezinjtë kanë arritur ta fitojnë vetëm njërën nga pesë ndeshjet e zhvilluara me Piolin si trajner.

Ata do të udhëtojnë për t’u përballur pikërisht me Napolin më 23 nëntor, në ndeshjen e tyre të parë pas pushimit të ndeshjeve të ekipeve kombëtare.

Exit mobile version