Milan e mbylli me humbje sezonin e Serie A, pavarësisht se ajo e regjistruar në Cagliari nuk është një nga ato disfata që dhemb me kuqezinjtë që kishin siguruar Europën që një javë më parë. Ekipi i Montelës u mund 2-1 në Sardenjë pas një ndeshje që dëfreu të pranishmit, teksa u vendos vetëm në minutën e 93-të nga goli i Piscanes.
Cagliari ashtu siç e mbylli ashtu dhe e kishte nisur sfidën teksa mori një epërsi të shpejtë pas vetëm 17 minutash me anë të Josao Pedros. Të zhveshura nga objektivat dy ekipet luajnë lirshëm dhe Milani pati mundësinë për të barazuar në të 63-tën me Baccën, por ky i fundit shpërdoroi një 11-metërsh. Gjithsesi pas 9 minutash një tjetër penallti e dhënë në favor të kuqezinjve nuk u shpërdorua më nga Lapadula, që barazoi provizorisht shifrat përpara se Piscane t’i jepte fitoren sardëve dhe një mbyllje të bukur të një kampionati përgjithësisht të qetë për Cagliarin, ndërsa Milani sezonin e ardhshëm do të luajë në Europa League.