“Milani ka fituar shpirtin luftarak”

Pavarësisht fitores, e cila i mungonte Milanit prej pesë takimesh, kuqezinjtë janë rikthyer nga transferta e Xhenovas të vetëdijshëm se më në fund kanë rigjetur Balotelin e vërtetë, teksa tashmë sulmuesi i Milanit ka filluar të ëndërrojë edhe një vend në përfaqësuesen italiane. Të paktën kjo është shpresa e tifozëve dhe ajo e të gjithë ambientit. Pas paraqitjes së mirë kundër Juventusit, numri 45 ka bindur edhe ndaj Sampdorias.
Rritja e lojtarit nuk ka kaluar pa u vërejtur edhe nga administratori i Milanit, Adriano Galiani, i cili, gjatë një interviste për të përditshmen italiane “Il Corriere della Sera”, ka analizuar ecurinë e sulmuesit: “Mario po luan mirë.
Është e dukshme që lojtari po lufton për të mbrojtur vendin e tij të punës. Ai bëri një paraqitje shumë të mirë kundër Juventusit, teksa ruajti të njëjtin rendiment edhe në sfidën përballë Sampdorias. E gjithë skuadra u sakrifikua shumë”.
Përqasja e Brokit-Për të mbrojtur vendin e gjashtë, që garanton një vend në Europë, Milani nuk duhet të gabojë në sfida e ardhshme. “Zgjimi” i Lacios është një arsye më shumë për ta mbajtur të lartë përqendrimin. Pa harruar edhe ëndrrën për fitimin e Kupës së Italisë: “Ndeshjet e fundit do të jenë shumë të rëndësishme për ne, shpjegoi Galiani.
Rikthimi në kompeticionet europiane është një mision shumë i rëndësishëm, të cilin duhet ta konkretizojmë me sukses. Sigurisht kalimi nëpërmjet Kupës së Italisë do të ishte më i bukur dhe për këtë arsye skuadra duhet të motivohet për të fituar trofeun e vetëm sezonal që na ka mbetur”.
Galiani u ndal edhe te debutimi i Kristian Brokit: “Pas një ecurie negative, skuadra kishte nevojë për një shkundje, e cila erdhi kundër Sampdorias. Broki i ka idetë e qarta, por është shumë herët për të analizuar punën e trajnerit, i cili ka më pak se një javë në krye të ekipit.
Debutoi me një fitore dhe më pëlqeu shpirti luftarak i skuadrës në fushë, e cila pasqyron karakterin e trajnerit. Si futbollist, Broki jepte gjithmonë maksimumin, këtë pretendon edhe nga lojtarët e tij. Me të rinjtë e Milanit ka bërë një punë të shkëlqyer në dy vitet e fundit dhe uroj të qëndrojë sa më gjatë në stol”.
Bashkëpunëtori legjendar i Silvio Berluskonit u ndal edhe te tratativa me kinezët për shitjen e aksioneve të Milanit: “Siç e kam thënë në disa raste, unë merrem vetëm me anën sportive, por di të them se presidenti e dashuron Milanin dhe çdo vendim që do të ndërmarrë në të ardhmen do të jetë vetëm për të mirën e klubit, siç ka bërë gjatë këtyre 30 viteve”.

Artikulli paraprakKinezët rrisin ofertën
Artikulli tjetërPasojat e doktrinës Obama