Nga fitorja fantastike ndaj Juventusit te sfida ndaj Genoas, për Milanin nuk ka kohë për të festuar. Seria A rikthehet këtë të martë me javën e 10 që do të nisë pikërisht me sfidën që do të zhvillohet në stadiumin “Marassi” mes Genoas dhe Milanit. Falë fitores ndaj bardhezinjve 2 pikë është diferenca në klasifikim mes kuqezinjve të Vincenzo Montellës dhe Juventusit. Milani është mundur tre herë në 4 ndeshjet e fundit ndaj Genoas dhe pikërisht skuadra nga krahina e Ligurias është një nga ato ekipe që gjithmonë u kanë hapur punë kuqezinjve.
Objektivi i 7-herë kampionëve të Europës në këtë sezon është kualifikimi në Champions League dhe ndeshja ndaj skuadrës së Juric do të shërbejë si një provë force që ky Milan me talente si Locatelli e Donnarumma i ka të gjitha mundësitë për të zhvilluar një sezon të madh. 19 pikët në klasifikim nuk janë pak pas 9 javëve të para për një skuadër që nuk bëri ndonjë goditje të madhe në merkato, por siç e tha edhe trajneri Montella pas fitores ndaj Juves, kampionati fillon tani për Milanin e tij. Mungesat për Milanin në këtë sfidë janë ato të lojtarëve që mungojnë prej disa javësh si Montolivo, Bertolacci, Mati Fernandez, Antonelli, Zapata e Calabria. Montella ndërkohë pritet të ulë në stol Kuckën dhe Suson për t’u bërë vend në formacion, Polit dhe Hondës. Në krahun tjetër, trajneri i Genoas Juriç do të mbështetet te dyshja argjentinase, Ocampos-Simeone Jr për t’i bërë një surprizë të hidhur Milanit.