Milani kërkon talentin e Ajax, Kasper Dolberg

Aftësia e Ajaksit për të gjurmuar sulmues, të cilët do të bëhen yje në të ardhmen është mbresëlënëse. Tomason, Ibrahimoviç, Suarez, Eriksen sa për të përmendur disa të dekadave të fundit. I fundit është Kasper Dolberg, vetëm 19 vjeç, por që po shkëlqen në nivelet më të larta dhe tani ka tërhequr vëmendjen e Milanit.
Sulmuesi i talentuar shënon një gol çdo 55 minuta, sipas statistikave të regjistruara në këtë sezon në kampionat, Ligën e Kampioneve dhe Ligës së Europës. Ajaksi e ka blerë një vit më parë vetëm 270 mijë euro për të zëvendësuar Milik që shkoi te Napoli. Brenda pak muajsh ka regjistruar shifra mbresëlënëse dhe tashmë kushton rreth 20 milionë euro.
Sipas mediave italiane, danezi tërheq vëmendjen e Montelës, i cili sheh te ai një sulmues modern që mund të luajë në çdo pozicion në repartin e avancuar. Problemi në këtë mes është konkurrenca e ndezur, sepse për të janë në garë shumë klube angleze, pa harruar këtu edhe italianet e tjera, të cilat gjurmojnë gjithmonë futbollistë të tillë.
Pritet që shumë shpejt palët të ulen në tavolinën e bisedimeve, sigurisht pas përfundimit të Ligës së Europës, ku Dolberg po shkëlqen dhe në edicionin aktual ka regjistruar 5 gola, duke ndihmuar skuadrën e tij t’i afrohet finales së turneut.

Exit mobile version