Presidenti i Milanit, Silvio Berluskoni, ka zgjedhur një videomesazh për t’i folur miliona tifozëve kuqezi në mbarë botën. Italiani, gjatë fjalës së tij, në profilin zyrtar në “Facebook” tha: “Një përshëndetje e ngrohtë për të gjithë tifozët e Milanit. Unë e kam Milanin në zemër si ju të gjithë, ndoshta edhe pak më shumë, duke konsideruar faktin se kam shpenzuar 1 miliard gjatë presidencës sime për të përforcuar skuadrën. Vetëm në sezonin e fundit investova 152 milionë euro”, tha “Kavalieri” fillimisht.
Më tej ai shtoi: “Mirëpo, të gjithë duhet të pajtohemi me faktin se, Milani ka luajtur keq gjatë sezonit dhe kjo është arsyeja pse mora guximin për të ndryshuar gjatë vitit drejtimin teknik, me objektivin që të shkojmë në finalen e Kupës së Italisë kundër Juventusit me më shumë shpresë për të fituar. Në fakt, më duket se diçka ka ndryshuar nga pikëpamja e lojës. Në shtëpi kishim një trajner si Broki, i cili bëri një punë të shkëlqyer me të rinjtë. I kërkova që të bënte diçka të guximshme dhe me guxim më tha ‘po’. Ai është njeri serioz dhe e njeh shumë mirë stilin Milan, pasi bën pjesë në këtë klub qysh në moshë të vogël”.
Berluskoni është rreshtuar në krah të trajnerit të ri: “Broki kishte shumë pak kohë në dispozicion për të ndërhyrë te lojtarët dhe skemat e lojës. Kemi qenë edhe të pafat në ndeshjet e fundit, si për shembull kundër Veronës, ku u mundëm nga një penallti dhe një goditje dënimi që nuk ishin. Ta lëmë Brokin të qetë të punojë deri më 21 maj, më pas do të vendosim se çfarë do të bëjmë. Sakaq, dua të them se pas 30 vitesh shampanjë dhe haviar mund edhe të durojmë me elegancë një moment të tillë, i cili është vetëm kalimtar”.
Në fund, presidenti foli edhe për të ardhmen e klubit: “Atyre që më ftojnë që të shes Milanin i përgjigjem: Kam një vit që po mundohem, mirëpo dua që klubin ta lë në duar të sigurta në mënyrë që ata që do të vijnë t’i garantojnë një të ardhme prej protagonisti. Preferoj në duar të italianëve. Pres çdo sugjerim. Një përqafim nga presidenti më fitues i historisë së futbollit të klubeve”.
Ndërkohë, administratori i Milanit, Adriano Galiani, është vënë në kërkim të një trajneri të ri. Galiani ka qenë në Madrid për të parë nga afër trajnerin kilian i Mançester Sitit, Manuel Pelegrini. Në fund të sezonit, strategu kilian do të lërë stolin e britanikëve, teksa siç është bërë e ditur më herët do të zëvendësohet nga Pep Guardiola. Pelegrini ka deklaruar dy ditë më parë se preferon të drejtojë një ekip të Serisë A, duke lëshuar kështu sinjalet e para. Sinjale që kanë mbërritur në veshin e Galianit, i cili ka fluturuar drejt Madridit për të takuar trajnerin e skuadrës së Sitit që pas 30 qershorit do të jetë pa skuadër.