Fati i Milanit tashmë ka kaluar në duart e “Elliott Management”, fondi që dërgoi Argjentinën drejt kolapsit financiar 15 vjet më parë. Për tifozët kuqezi nuk është tamam një lajm i keq, pasi fakti që Jong-Hong Li mbështetet nga një grup me buxhet 31 miliardë dollarë përbën një garanci të fortë ekonomike.
Sidoqoftë, burime pranë fondit amerikan bëjnë të ditur se, ky fond nuk ka për qëllim investime në përforcimin e Milanit, por do të ndihmojë Li në gjetjen e investitorëve të mundshëm që do ta shoqërojnë në menaxhimin e kuqezinjve. Qëllimi i Jonghong ishte të gjente një kompani përfaqësuese, duke premtuar se paratë e nevojshme do t’i siguronte nga disa investitorë kinezë, por pa e mbajtur premtimin dhe duke detyruar SES (kompania që duhet të blinte Milanin) të dilte nga marrëveshja.
Fondi “Elliott”, gjatë krizës së Argjentinës, bleu Bono Thesari të shtetit amerikanojugor me çmim shumë të ulët. Më pas hodhën në gjyq shtetin, së bashku me fonde të tjerë, duke kërkuar ristrukturimin e borxhit dhe, në fund, këto fonde të rimbursoheshin nga shteti. “Elliott” e fitoi këtë betejë ligjore, duke e detyruar Argjentinën të shpallte falimentimin e dytë. Presidentja argjentinase Kirshner, e cilësoi këtë fond si një fond grabitqar.
Zgjedhja e Li për t’u lidhur me një fond investimesh me rrezik të lartë në tituj shtetesh me borxhe të mëdha apo shoqëri në prag falimentimi ka një shpjegim të thjeshtë. Duke u bashkuar me “Elliot Management”, Li do të përpiqet të shfrytëzojë joshjen që kjo firmë amerikane ka ndër investitorët e huaj, me qëllim që të mos humbë 300 milionët e dorëzuara deri tani familjes Berluskoni në kuadër të kaparit për blerjen e klubit.
Në këmbim, fondi do të mbajë peng të gjitha kuotat që ka Li te kuqezinjtë dhe një interes prej 30 milionë eurosh në vit mbi investimin në tërësi, një shifër kjo e papërballueshme për Milanin, që dy vitet e fundit ka humbur në buxhet respektivisht 180 dhe 70 milionë euro. Ndërkohë, pretendimet e familjes Berluskoni janë ulur: në gusht për të blerë Milanin nevojiteshin 1.2 miliardë euro, ndërsa sot “mjaftojnë” 850 milionë.
350 milionë euro që do të duheshin për të ringritur klubin kuqezi nuk janë më një kusht për blerësit, por një lloj detyrimi moral që i kudondodhuri Li ka ndaj “Fininvest”. I njëjti diskutim vlen edhe për borxhet e Milanit, që aktualisht kanë zbritur në 190 milionë. Mirëpo, kreditorët nuk do të pyesin për shuma, për sa kohë në “lojë” do të jetë edhe fondi “Elliott”, i njohur ndryshe si grabitqar i financës.