Vincenzo Montella nuk mund të kërkonte më shumë nga Fassone dhe Mirabelli, të cilët i vunë teknikut maksimumin në dispozicion. Por për të parë një Milan në lartësinë e skuadrave më prestigjioze europiane duhet ende kohë: “Skuadrat e nivelit ndërkombëtar me buxhet të limituar tentojnë 3 ose 4 transferime që të arrijnë të kompletojnë formacionin që i përgjigjet objektivave të kubit. Mund edhe të kemi gabuar diku ose do të na duhet të bëjmë edhe lëvizje të tjera, gjithsesi duhet të theksoj se jam falënderues për gjithçka u arrit”.
Trajneri i Milanit gjatë konferencës për shtyp komenton edhe kritikat lidhur me investimet shumë të mëdha që u bënë gjatë kësaj merkatoje nga drejtuesit e rinj kinezë. “Me sa më kanë shpjeguar Milani ka investuar në sistemin italian disa qindra milionë euro dhe të paktën për këtë, si dhe për faktin se është bërë maksimumi në një kohë fare të shkurtër, mendoj se shoqëria e meriton një falënderim. Personalisht mendoj se merkatoja e Milanit meriton notën 10”, tha Montella.
Pas një starti shumë pozitiv, tani mbërrin ora e së vërtetës për Milanin e Montellës, me sfidën e parë të vështirë në kampionat, ajo e së dielës në “Olimpico” përballë Lazios. Këtë e di më mirë nga të gjithë tekniku Vincenzo Montella.
“Kjo është ndeshja e 7 radhazi. Kam shpresa dhe ambicie për këtë takim. Lazio është një skuadër solide që di të luajë në shumë mënyra ndaj dhe ne duhet të dimë të përshtatemi, pasi ende nuk e kemi testuar realisht nivelin tonë”, tha ai.
Për Montellën kjo do të jetë edhe një përballje me Simone Inzaghin, që sikundër ai ka fituar një ndeshje të Superkupës së Italisë përballë Juventusit. “Kjo është një ndeshje e rëndësishme dhe ne ndoshta jemi të vetmit në Itali që i kemi hequr pak nga suksesi Juventusit përgjatë këtyre viteve të fundit. Simone po tregohet pragmatist, është përshtatur dhe ka fituar dashurinë e lojtarëve. Kam shumë respekt për të. Biglia do të luajë titullar dhe për të nuk do të jetë një ndeshje e lehtë, pasi është stërvitur pak me skuadrën, por jam i bindur se do të dalë shumë mirë. Pritshmëritë janë të mëdha për të, pasi është një futbollist shumë inteligjent me një taktikë të shkëlqyer”, përfundoi Montella.
Të shtunën në mbrëmje ishte parashikuar të zhvillohej një prej sfidave më të bukura të Serie A mes Sampdorias dhe Romës, por gjatë orëve të fundit të së premtes është marrë një vendim ekstrem, shtyrja e këtij dueli. Shkak është bërë moti i keq që ka përfshirë krahinën e Ligurias dhe qytetin e Xhenovës. Sipas meteorologëve, situata do të përkeqësohet gjatë orëve të mbrëmjes dhe pas një takimi të zhvilluar në prefekturë, u vendos shtyrja e këtij takimi për një datë tjetër. Kjo nuk është hera e parë që shirat dhe moti i keq shkaktojnë anulimin apo ndërprerjen e ndeshjeve në stadiumin “Marassi”. Në katër vitet e fundit, janë shtyrë 5 ndeshje. Në datën 11 shtator të vitit të shkuar, arbitri ndërpreu ndeshjen Genoa-Fiorentina në minutën e 28 për shkak të terrenit të vështirë. Më 13 shtator 2015 takimi Sampdoria-Bologna u shty ashtu si edhe sfidat Sampdoria-Genoa dhe Sampdoria-Inter.