Milani s’ka burra!

Në prag të betejës së dytë mes “çolizmit” dhe “tiki-taka”-s, është një trajner italian që merr një pozicion të qartë për këtë temë: “Barcelona dhe Guardiola kanë krijuar disa përbindësha në klubet e tjerë dhe në mendjet e trajnerëve”. Këto kanë qenë fjalët e ish-mesfushorit të Milanit, Xhenaro Gatuzos, i cili tani është në krye të skuadrës së Pisës.
Nëse nuk është kuptuar, edhe ai, ashtu si Trapatoni, preferon Atletikon e Simeones para Bajernit të Pep Guardiolës. Ish-milanisti, në të vërtetë, nuk ka folur për gjysmëfinalen e Champions-it, por ka prekur temën e nxehtë të krizës që po kalon futbolli italian që sipas tij “kohët e fundit ka dalë nga vetja”.
“Është munduar të kopjojë të tjerët, ka shpjeguar ish-kampioni i botës, duke humbur një pjesë të kulturës mbrojtëse, që ka lidhje me markimin dhe me aftësinë e portierit. Duhet ndryshuar, kjo është e drejtë, por pse të mos bëhet duke ruajtur atë karakteristikë që e kemi shfrytëzuar aq mirë në këto vite? Nga ana tjetër, kemi fituar katër Kupa të Botës. Sot shumë trajnerë, që kanë dalë nga Koverçano, po bëjnë një punë të mirë, për këtë arsye nuk mund të themi se gjithçka po shkon keq. I keni parë si luajnë ekipet e Murinjos dhe Simeones?”.
“Për të bërë këtë profesion nuk mjafton të kesh qenë një lojtar i madh, ka shtuar Gatuzo.  Duhet të kuptosh se cilin ke përpara, të shprehesh në mënyrën e duhur dhe të jesh koherent. Sipas mendimit tim, është më e lehtë të luash futboll, sesa të jesh trajner. Mungojnë talentet? Sot të rinjtë tanë luajnë dhe stërviten 10 orë në javë, më pak se në Holandë, ndërsa në të kaluarën ne luanim 10 orë në ditë. Ndoshta kjo është një nga arsyet pse nuk ka më talente. Sot kemi fenomenë në aspektin teknologjik me celular dhe ‘play station’ dhe më pak fenomenë në futboll”.
Gjatë fjalës së tij, ish-mesfushori u ndal edhe te kriza që po kalojnë kuqezinjtë në kampionat: “Mund të ndodhë që ekipi të kalojë një periudhë të vështirë, mirëpo askush nuk duhet të harrojë se çfarë ka bërë Galiani dhe Berluskoni për këtë klub. Shoqëria ka defektet e veta, por edhe lojtarët kanë faj për gjendjen e ekipit. Për mua ishte një ëndërr të luaje për Milanin, ‘senatorët’ e dikurshëm menjëherë më treguan vendin kur hyra në dhomat e zhveshjes. Sot, Milanit i mungojnë burrat, skuadra nuk ka një lider dhe futbollistët që luajnë sot nuk e dashurojnë fanellën”. Më tej ai shtoi: “Mendoj se Berluskoni dhe Galiani nuk janë të lumtur me ecurinë e ekipit dhe duan të ndihmojnë Milanin. Kupa e Italisë do të ishte një trofe i rëndësishëm”.

Exit mobile version