Miliona eurot në Toyota, Lubonja: Kam frikë se pas tyre fshihet vetë shteti

Analisti Fatos Lubonja i ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News24 foli për misterin e milionave të kapura në Toyota Yaris. Sipas Lubonjës, nuk ka mundësi se si Shteti të mos ketë qenë në dijeni për këtë, dhe nisi me akuzat e krijimit të një ekonomie kriminale.
Po ashtu analisti kërkoi që PD duhet të japë provën e saktë në lidhje me ngjarjen përndryshe sipas tij mbetet për qëllime politike.
“Kam frikë se kemi të bëjnë me shtetin vetë më duket mua, në shpeshtësinë e këtyre ngjarjeve dhe këtyre skandaleve, pra më shumë mund të thuhet që kemi një mafie që ka shtetit e vet në këtë rast. Këto banda janë mënyra jonë e mbijetesë, këto banda kriminale, këto para që kanë ardhur me këtë makinë, padyshim janë para droge dhe i kanë pasur një lloj rrugë të garantuar, që fillon që tek polica e me radhë.
Basha e ka ditur këtë vjen për shkak se këto vijnë nga shërbime të jashtë, dhe kjo ndoshta ka bërë që ata t’i japin ndonjë informacion Bashës, po nëse Basha e bëri mirë e bëri kështu apo jo kjo është çështje tjetër. PD duhet ta japë provën të saktë përndryshe mbetet që bëhet për qëllime politike. Unë mendoj se për qëllime politike bëhet.
Si nuk dika një kryetar Bashkie se nga vijnë këto para. Si nuk e dikan nga u bëka gjithë kjo ekonomi kriminale, si u ngrikan këto kulla. Këtu nuk ka dëshirë për ta zbuluar këtë, prandaj ka një bashkëjetesë me krimin.

Këtu mafia ka shtetin e vet. Erdhi nga Kolumbia më përpara 600 e ca kg kokainë, atij tjetrit i fluturojnë nga makina 800 mijë euro, tani del e kjo. Ne jetojmë si peshqit në këtë ekonomi kriminale. Këtu ato peshqit e mëdhenj e mbajnë këtë ujë të pisët se vetëm ashtu mund të mbijetojnë. Prokuroria duhet të hapë hetim menjëherë. Këtu shoh që nuk ka dëshirë as për bashkëpunim,” tha Lubonja.
A është krimi që ka shtrirë rrënjët te politika, apo është politika që kontrollon krimin sipas interesave të veta?
Ne kemi ndërtuar një ekonomi të bazuar te krimi, ekonomia gjithmonë kap politikën. Ekonomia kriminale ka hyrë në parlament. Nuk e di të them se kush është më përgjegjës. Kam më respekt për këta që trafikojnë se sa për politikanët që i shfrytëzojnë paratë e tyre për t’u pasuruar duke ditur se me këtë bashkëveprojnë, dhe mbrohen me kostumin e politikanit.
Kush i lëvizin këto shuma të mëdha parash pse opozita nuk i denoncon?
Nuk besoj se ata kanë frikë, mund të kemi ne frikë gazetarët, apo edhe prokurorët që merren me çështjen. Por nëse do kishte një lëvizje politike që do donte të çrrënjoste krimin nga vendi, do ishte shumë e lehtë. Në vend që të ndërtojnë një strategji, ata nuk e bëjnë.

Artikulli paraprakEurot në “Toyotën Yaris” të Ballës, autoritet belge dyshime te policia
Artikulli tjetërProtesta për Teatrin/ Derhemi shpërthen ndaj Veliajt: Një farsë që do të na hedhë hi syve