Kur Shkëlzen Gashi u largua gjatë merkatos së janarit për të firmosur në MLS me Colorado Rapids, pati rezerva në opinionin sportiv shqiptar për mundësitë që i jep ky kampionat për të qenë protagonist me Shqipërinë. Sigurisht që largësia dhe ndryshimi i ambientit nuk e ndihmojnë shumë sulmuesin 27-vjeçar për vendin e titullarit te kuqezinjtë, megjithatë ish-sulmuesi i Baselit kishte një arsye të fortë për të mos e refuzuar ofertën e Colorado Rapids.
Publikimi i listës së futbollistëve më të paguar në MLS, nxjerr në dritë faktin se Shkëlqen Gashi përfiton në Amerikë një shumë që as që nuk do ta kishte imagjinuar në Europë. Ai renditet i 14-ti me një pagë vjetorë 1 665 750 dollarë në vit, një pozicion poshtë Didier Drogba, që arkëton 2 166 667 në vit në radhët e kanadezëve të Montreal Impact.
Sigurisht që diferenca e pagës së Gashit me atë të lojtarit më të paguar në Mls, që është Ricardo Kaka, mbetet shumë e ndjeshme. Ish-ylli i Milanit dhe i Realit të Madridit, aktualisht pjesë e Orlando City përfiton 7 167 500 dollarë në sezon, i ndjekur nga italiani i Giovinco, që merr rreth 50 mijë dollarë më pak te Toronto.
Më poshtë renditen Bredley, Gerrad, Lampard, Pirlo, Villa etj. Edhe pse është futbollisti i dytë më i paguar te Colorado Rapids, pas portierit Howard, Shkëlzen Gashi ka shënuar vetëm 2 gola në 10 ndeshjet e para të sezonit, madje në 7 raste është larguar para kohe nga fusha. Ndoshta ky ka qenë thjesht një fillim i vështirë për futbollistin e kombëtares kuqezi në MLS.