Dymbëdhjetë vite pasi ka vdekur gjatë gjykimit të tij për krime lufte, Sllobodan Millosheviç, është kthyer në Kosovë, mirëpo kësaj here si personazh në një shfaqje artistike në Graçanicë. “Tregimi i Sllobodanit” është shkruar nga Jelena Bogavaç dhe fokusohet në marrëdhënien personale të Millosheviçit me gruan e tij Mirjana, vajzën e tij Marija dhe djalin e tij Marko, më shumë sesa në politikën që e ka bërë të famshëm. Më shumë se 200 persona kanë marrë pjesë në shfaqjen e zhvilluar në një teatër në Graçanicë. Shfaqja përfundon me gjykimin e tij në Tribunalin e Hagës, ku edhe ka vdekur nga një sulm në zemër më 2006.