Milot Rashica flet për shkallën e lëndimit

Milot Rashica ka thënë se zëvendësimi i tij i hershem në fitoren e Werder Bremenit ndaj Augsburgut të dielën u bë më shumë si masë parandaluese.
Një lëndim fatkeq i prishi ditën anësorit të ekipit kombëtar të Kosovës, Milot Rashicës, i cili e nisi një të diele në mënyrën më fantastike të mundshme, duke shënuar dy gola shumë të bukur brenda më pak se gjysmë ore kundër Augsuburgut në Bundesligë, shkruan Gazeta Express.
22-vjeçari hapi serinë e golave për Bremenin pas vetëm pesë minutave lojë, kur shënoi pasi trullosi një mbrojtës kundërshtar dhe futi topin në rrjetën e portës duke e bërë portierin të hidhet në krahun e gabuar.
Kur akrepat shënonin 28 minuta lojë, Rashica mori një top pothuajse në gjysmë të fushës nga krahu i majtë, u fut në zonë duke e nxjerr një tjetër mbrojtës nga loja dhe shënoi në qoshen e majtë të portierit me një supergoditje.
Por, vetëm tetë minuta më vonë, ai ndjeu dhimbje shpine, problem të cilin e kishte edhe disa javë më parë, dhe u zëvendësua për t’i ikur më të keqes.
Edhe vetë Rashica e konfirmoi se nuk është dëmtim i madh dhe se ai do të kthehet në fundjavë.
“Nuk është [dëmtim] i madh, thjesht ndjeva [dhimbje] paksa në shpinë. Doja të vazhdoja, sepse rëndësi kanë tri pikë. Mendoj se do të kthehet për ndeshjen në Berlin”, tha Rashica.

Exit mobile version