Milot Rashica mund të luajë ndeshjen e parë zyrtare të këtij sezoni në Holandë në sfidën që Vitese zhvillon ndaj Ado Den Hag në javën e dytë të kampionatit. Mesfushori i talentuar shqiptar mungoi në ndeshjen e parë të kampionatit ndaj Vilem II për shkak të një dëmtimi, por në dy ditët e fundit është stërvitur rregullisht me grupin.
Edhe pse trajneri Henk Freizer deklaroi se vendimin përfundimtar për aktivizimin apo jo të mesfushorit do ta merrte vetëm në momentet e fundit, mediat holandeze janë të bindura se Rashica do të kthehet në formacion.
“Në ditët e fundit, Miloti ka arritur të stërvitet dhe të bëjë më shumë gjëra. Të shohim nëse kjo do të jetë e mjaftueshme që ai të aktivizohet në këtë ndeshje. Por situata e tij duket gjithnjë e më e mirë”, deklaroi Freizer për faqen e klubit pas stërvitjes së zhvilluar dje.
Rashica cilësohet si një prej talenteve më premtues në kampionatin holandez, ku shkëlqeu që në sezonin e parë me fanellën e Viteses, duke u kthyer në objektivin e merkatos së shumë klubeve të njohura në Europë.
Pritet që Rashica të jetë mes futbollistëve të grumbulluar nga trajneri Xhani de Biazi për miqësoren kundër Marokut dhe ndeshjen zyrtare të eliminatoreve të Botërorit kundër Maqedonisë.