Skuadra, e cila do të kërkojë shërbimet e Milot Rashicës do të duhet të pagujë 5 milionë euro. Ky është vlerësimi financiar, i bërë së fundmi nga sajti i specializuar “transfermarkt”. Freskimi i të dhënave të fundit të vlerës së kartonit të Milot Rashicës është bërë më 26 tetor, duke e ngritur vlerën e kartonit të futbollistit të përfaqësueses së Kosovës, nga 3.5 deri në 5 milionë euro.
21-vjeçari nga Vushtrria e Kosovës, luan aktualisht për ekipin e Vittese në kampionatin holandez. Ai ka shkëlqyer në disa ndeshje të luajtura duke u bërë protagonist i tyre. Rashica kaloi tek ekipi holandez dy sezone më parë dhe në total ka shënuar 15 gola, ndërsa ka dhënë 23 asiste.
Rashica është një nga talentet më të mirë të futbollit kosovar aktualisht. Ai la kombëtaren shqiptare për t’u grumbulluar me përfaqësuesen e Kosovës për eliminatoret e Botërorit Rusi 2018.
Për futbollistin nga Vushtrria kanë shfaqur interes ekipe si Lazio, madje përflitet që në merkaton e janarit të bëhet edhe një transferim i mundshëm i sulmuesit të krahut të djathtë tek ekipi i kryeqytetit italian.
Futbollisti ka një kontratë me ekipin e Vitesse në Holandë që i skadon në vitin 2020, por talenti i tij mund ta detyrojë drejtorin sportiv të Lazios, Igli Tare, të shpenzojë 5 milionë euro për shërbimet e Rashicës.