Sindikata e minatorëve akuzoi qeverinë Rama se nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për realizimin e statusit të minatorit, që u rrëzoi me votë në seancën parlamentare të 2 shkurtit.
Fiqiri Xibri, kryetari i kësaj sindikate, thotë se qeverisë i është lënë një afat 10 ditor dhe nëse kërkesat e tyre bien në vesh të shurdhër ata do të protestojnë më 21 mars para Kryeministrisë. “Ne do të hyjmë forcërisht në zyrën e Kryeministrit dhe nuk do të dalim që aty për pa u realizuar publikisht ky debat dhe të shikojmë nëse qeveria është vërtet në anën e njerëzve, popullit që i ka dhënë votën apo është në anën e korrupsionit, në anën e arbitraritetit”, tha Xibri, raporton Oraneës.
Sipas tij, kërkesat e minatorëve janë pensioni minimal që nuk duhet të jetë më pak se 175% të pagës minimale, përshkallëzimi i moshës së pensionit që është turp dhe faqja e zezë që një minator që ka punuar 12 vjet e gjysmë del 55 vjeç në pension dhe një që ka punuar 12 vjet e 5 muaj nuk del dhe del 65 vjeç.
Maxhoranca rrëzoi projektligjin me pretendimin se ai binte në kundërshtim me Kushtetutën dhe nuk parashikonte kostot, ndërkohë një tjetër draft është duke u përgatitur në lidhje me statusin e minatorit.