Mini Shengeni Rama-Vuçiç, regres për Kosovën dhe dështim për Shqipërinë

Ermal Xhelilaj

Letra e Presidentit Biden, në të cilën i bëhej thirrje Serbisë dhe konkretisht Presidentit Vuçiç për një njohje të shtetësisë së Kosovës nëpërmjet instrumentit politik e diplomatik të reciprocitetit, si subjekt i drejtës ndërkombëtare, evidentoi në mënyrë eksplicite dy dimensione të rëndesishme politike përsa i përket marrëdhënieve ndërkombëtare me fokus rajonin e Ballkanit, si dhe politikës së jashtme shqiptare në veçanti.

E para, evidentoi faktin se pavarësisht se kush president amerikan qendron në krye të Shtëpisë së Bardhë apo se cila forcë politike në SHBA është në pushtet, republikanët apo demokratët qofshin këta, busulla orientuese e politikës së jashtme të aleatit tonë strategjik qendron gjithmonë konstante në raport me konsolidimin e pavarësisë e Kosovës, si dhe me forcimin e rendit ekonomik, politik dhe demokratik në Shqipëri.

E dyta, ky zhvillim politik rajonal nxorri në plan të parë edhe një problematikë të thellë lidhur me eficencën e politikës së jashtme shqiptare. Orientimi drejt lindjes i politikës së jashtme të shtetit shqiptar gjatë viteve të fundit si pasojë e dështimit mbi çeljen e negociatave me BE, dhe veçanërisht përfshirja në projektin ekonomiko-politik eksperimental të Mini Shengenit ballkanik me inisiativën direkte të Ramës, rezultoi një dështim i plotë strategjik, diplomatik dhe politik.

Vuçiç, si një politikan i rafinuar, agresiv e eficent në politikën rajonale dhe mbrojtjen e interesave kombëtare të Serbisë, i tregoi Shqipërisë dhe për më tepër Ramës me lëvizjen e fundit diplomatike mbi refuzimin që i bëri Biden për njohjen e Kosovës, se Mini Shengenin ballkanik e shfrytëzoi mirë politikisht për të dëmtuar shtetësinë e Kosovës si dhe për të krijuar barriera të konsiderueshme diplomatike lidhur me njohjen e Kosovës nga shtetet e tjera dhe aderimin e saj në organizatat ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, Vuçiç me mjeshtërinë e një politikani tipik serb shfrytëzoi Ramën nëpërmjet politikave “bashkëpunuese” të Mini Shengen për të amortizuar presionin solid të EU e SHBA mbi Serbinë lidhur me njohjen e Kosovës, për të krijuar një imazh pozitiv, harmonizues e mbizotërues të Serbisë mbi shtetet shqiptare, si dhe për të përfituar ekonomikisht nga BE dhe nga një bashkëpunim tregtar rajonal, në të cilin ekonomia e fortë serbe do ketë “pjesën e luanit”, në kontrast me ekonomitë inferiore e anemike të shteteve shqiptare. Kjo politikë “minishengen” së bashku me situatën kontroversale e komplekse me Greqinë, është një indikacion se politika e jashtme shqiptare reflekton problematika të cilat pengojnë integrimin e vendit në BE dhe konsolidimin e interesave kombëtare të Shqipërisë.

Exit mobile version