Ministra, deputetë dhe zyrtarë nuk dorëzojnë formularin e dekriminalizimit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i bëri thirrje publike deputetëve, ministrave, kryebashkiakëve dhe anëtarëve të këshillave bashkiake që të respektojnë afatin ligjor për vetëdeklarimin e të shkuarës së vet në kuadër të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i njohur më së shumti si ligji për dekriminalizimin.
Zëdhënësja e KQZ, Drilona Hoxhaj, deklaroi se afati final për plotësimin e formularit është data 4 maj, por deri tani, vetëm 255 nga 1,836 zyrtarët subjekt i ligjit, e kanë plotësuar deklaratën.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në vlerësim të faktit se afati përfundimtar për dorëzimin e formularëve të vetëdeklarimit, është data 4 maj 2016 dhe numri i subjekteve që ende nuk e kanë dorëzuar, është i konsiderueshëm, kërkon mirëkuptimin e tyre për ta dorëzuar sa më parë formularin, duke pasur në vëmendje;
formulari duhet të plotësohet me kompjuter, me përjashtim të emrit e mbiemrit dhe nënshkrimit (në fund të çdo faqeje) që duhet të plotësohen me shkrim dore;
formulari, pasi të jetë plotësuar e printuar, nënshkruar, të depozitohet në KQZ personalisht (dorazi) nga secili funksionar që ka detyrimin për të dorëzuar formularin e vetëdeklarimit.
Formulari i vetëdeklarimit ndodhet në faqen zyrtare të internetit të KQZ-së, www.cec.org.al dhe është i aksesueshëm për të gjithë”, deklaroi Hoxhaj.
Zyrtarët duhet të deklarojnë nëse kanë qenë ndonjëherë të arrestuar brenda apo jashtë Shqipërisë dhe nëse kanë qenë ndonjëherë të dënuar.
Në rast se gënjejnë në vetëdeklarim, zyrtarët mbajnë përgjegjësi penale. Në rast se rezultojnë të dënuar për disa lloje krimesh të rënda, do të duhet të dorëzojnë mandatin.
Në përfundim të vetëdeklarimit, institucionet do të kryejnë verifikimet e vërtetësisë, një proces tjetër delikat.
Debati mbi pastrimin e politikës nga elementë me të shkuar kriminale lindi gjatë vitit 2014, kur Partia Demokratike në opozitë deklaroi se në radhët e mazhorancës, një numër zyrtarësh kanë qenë më parë të dënuar. Njëri nga deputetët e Partisë Socialiste, Arben Ndoka, dha dorëheqjen pasi u ekspozua për një dënim për trafik qeniesh njerëzore në Itali. Ai deklaron se dënimi i tij ka qenë gabim dhe se ai është i pafajshëm. Deputeti i Partisë Kristian Demokrate Mark Frroku dha dorëheqjen, pasi u arrestua për llogari të drejtësisë belge ku po gjykohet i dyshuar për vrasje. Frroku deklarohet i pafajshëm.

Artikulli paraprakMe Ramën, Shqipëria objekt talljeje në Britani
Artikulli tjetër91.6 milionë dollarë shpenzime luksi më 2015