Ministra dhe Deputetë “teknikë” – Edi Rama gjen bojën për të lyer korrupsionin e qeverisjes 11-vjeçare tek emrat e panjohur

Nga Desada Metaj

Fjalimet e viteve të fundit të Edi Ramës në mbledhjet me socialistët e Asamblesë kanë një retorikë të përsëritur, dhe efekti i vetëm surprizë është leximi i emrave që ndryshojnë nëpër ministri apo në drejtimin e partisë. Po t’i shtosh kësaj skene dhe kamerën lëvizëse të regjisë qendrore, që kap ankthin, mërzitjen apo gëzimin në fytyrat e atyre që lideri u shqipton emrin, ndoshta gjithçka mund ta kuptosh edhe pa zë.

Po kaq të lexueshme janë edhe fytyrat e “teknikëve” të qeverisë së tij. Nëse regjia nuk e kurseu Erion Veliajn teksa mori vesh se do ta ndante “parcelën” me Elisen dhe Ogertën, po kaq të lexueshme ishin edhe portretet e ministrave dhe prurjeve të reja në PS. Adhurimi dhe emocioni teksa dëgjonin fjalimin e shefit të madh, që lëvizte si gurë shahu personazhet kryesore dhe dytësore të socialistëve, pa dhënë asnjë shpjegim për kontributet apo gabimet e tyre.

Por, nëse kjo mund të konsiderohet “normale” për një parti politike në kushtet e Shqipërisë, pyetja që lind natyrshëm ka të bëjë me këta të rinj, ndoshta profesionistë të zotë, që nuk bëzajnë teksa dëgjojnë për reforma ekonomike dhe politike që duhet t’i zbatojnë, edhe pse s’i ka pyetur kush se çfarë mendojnë për to.

Njëjtë si me ministrat teknikë, të bindur dhe të zellshëm edhe më shumë se ata politikë, Edi Rama ka vendosur të sillet edhe me partinë. Tashmë, me një platformë të drejtuar nga Bora Muzhaqi, kryeministri pretendon se do të furnizojë listën e deputetëve me prurje të reja nga platforma digjitale e partisë së tij. Edhe për drejtimin e partisë ai pretendon të ngrejë një strukturë të re me anonimë, që karrierën në PS do ta shfrytëzojnë për të kapur ndonjë post drejtues në administratë. Duke shfrytëzuar këtë arivizëm tek ca të rinj që s’kanë shumë alternativa, Edi Rama me vetëdije të plotë tashmë po zhvesh nga kostumi politik çdokënd që e sheh PS-në si bashkim vullnetar për të dhënë kontribut personal.

Me qasjen e tij drejt “teknikëve” në qeveri, parlament dhe parti, Edi Rama po përpiqet të zbehë efektin e korrupsionit të qeverisjes gati 12-vjeçare. Zëvendësimi i bashkëpunëtorëve të afërt me emra thuajse të panjohur, plotësimi i listave të deputetëve me anonimë që s’kanë asnjë kontribut në PS, nuk është asgjë më shumë se uzurpim i çdo pushteti të mundshëm, përfshirë edhe atë të Partisë Socialiste.

Përdorimi i të rinjve në këtë proces depersonalizues është padyshim përgjegjësi e njeriut të gjithëpushtetshëm, që tashmë ka në dorë jo vetëm të qeverisë vendin sipas orekseve të veta, por edhe të zhdukë çdo ambicie politike të forcës ku aderon, për ta shndërruar atë në furnizuese me emra të rinj për të shpëlarë pisllëkun e vjetër. Por, përveç tij, përgjegjësi për këtë proces që rëndon mbi të gjithë ne, kanë edhe këta “teknikë” të qeverisë apo partisë. Shkollimi, CV-ja apo portreti nuk i bëjnë ata të ndryshëm nga paraardhësit, të cilët, të paktën, u munduan të çajnë në radhët e shtrënguara të PS-së. Edi Ramës ata i duhen sot, thjesht si bojatisje për të lyer fasadën korruptive të qeverisë. Dhe ndoshta këtë mision ata e përmbushin më së miri. Vetëm se nëse gjatë mbledhjes së sotme do ta kishin kthyer kokën pak anash, ndoshta do ta kuptonin se përdorimi në politikë është një faturë që paguhet ndoshta me vonesë. Dhe kur e paguan, pak rëndësi ka CV-ja, shkolla apo portreti civil. Prangat kërcasin njësoj për të gjithë!

Exit mobile version