Ministrat e Brendshëm të 28 shteteve anëtare të BE-së kanë hartuar një dokument me kushtet kryesore që duhet të përmbushin vendet e Ballkanit Perëndimor në fushën e sigurisë dhe emigracionit të paligjshëm. Sipas Brukselit, kushtet e rëndësishme janë lufta ndaj krimit të organizuar, terrorizmit, trafikimit të armëve të zjarrit dhe eksplozivëve.
Dokumenti, i hartuar ditën e enjte, do të bëhet publik në Samitin e Sofjes më 17 maj 2018. Ky lajm bëhet i ditur nga “Deutche Welle”.
Ky është dokumenti i tretë i hartuar nga BE për çështjen e rendit dhe emigracionit të paligjshëm në vendet e Ballkanit Perëndimor brenda pak muajve, me vëmendjen të veçantë për Shqipërinë. Kujtojmë se rastet e fundit janë:
Strategjia për Zhvillim të Ballkanit Perëndimor e përgatitur nga Komisioni Evropian – veçanërisht për katër vendet ballkanike si Shqipëria, Maqedonia, Bosnje-Herzegovina dhe Kosova, ku theksohet se qeveritë e këtyre vendeve duhet të marrin shumë seriozisht vendosjen e shtetit të së drejtës, luftën ndaj korrupsionit, goditjen e krimit të organizuar, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe dhe ndërmarrjen e një sërë ndryshimesh të tjera demokratike.
Marrëveshja për ruajtjen e kufijve të BE-së nga emigrantët e paligjshëm dhe krimi i organizuar shqiptar e nënshkruar midis Eurokomisionerit Avramopulos dhe ministrit Xhafaj.
Vizita e ministrit të Brendshëm francez, Collombo, gjatë së cilës ai i bëri të qartë qeverisë shqiptare se, nëse nuk do të ketë një ndryshim të gjendjes së tanishme mbi emigracionin e paligjshëm dhe krimin e organizuar, nuk do të ketë hapje të negociatave për anëtarësimin dhe Shqipëria rrezikon të ballafaqohet me kërkesën për rikthimin e vizave.
Lufta ndaj krimit të organizuar dhe emigracionit të paligjshëm, prej dy vitesh tashmë është kushti kryesore për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Katër kushtet e strategjisë së zgjerimit
Zbatimi i ligjit duhet të forcohet në mënyrë domethënëse. Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor shfaqin elemente të qartë të kapjes së shtetit, lidhje me krimin e organizuar, korrupsion në të gjitha nivelet e qeverisë e administratës dhe mbivendosje të interesave publike dhe private.
– Lufta kundër korrupsionit, pastrimit të parave dhe krimit të organizuar duhet të jetë prioritet i gjashtë vendeve të BP-së. Gjurmët e krimit të organizuar në këto vende mbeten të forta, si në terma të trafikimit të qenieve njerëzore, në drogë dhe në armë apo në rrezikun e infiltrimit të krimit në sistemet ekonomike dhe politike.
– Autoritetet duhet të çmontojnë rrjetin kriminal dhe bazën e tyre ekonomike, duke përdorur në mënyrë sistematike hetimin financiar dhe duke zbatuar mjete si ngrirja paraprake e të ardhurave kriminale, konfiskimi i aseteve kur burimi i pasurisë së tyre është i pashpjegueshëm.
– Një sistem gjyqësor i pavarur e i fuqishëm dhe llogaridhënie e qeverive ndaj qytetarëve janë thelbësore për të sjellë ndryshimin e gjatës shoqëror kaq shumë të nevojshëm.
Zhvillimi ekonomik
– Asnjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk mund të konsiderohet aktualisht një treg ekonomik funksional apo që ka kapacitete për të përballuar tregun evropian.
– Ekonomitë e rajonit nuk janë konkurruese, me shumë ndërhyrje politike të paligjshme dhe një sektor privat të pazhvilluar.
– Ekonomia e rajonit përballet me shumë dobësi në strukturë, me tregje joefektive dhe të ngurta, produktivitet të ulët dhe të drejta të paqarta pronësie, duke sjellë konkurrencë të ulët dhe papunësi të lartë.
– Përfshirja e shtetit dhe ndërhyrjet e panevojshme politike në ekonomi mbeten të larta, ndërsa politikat e konkurrueshmërisë dhe politikat e tjera shoqëruese janë ende të dobëta.