Ministrat e Jashtëm nga tetë vende të Bashkimit Evropian i kanë dërguar një letër shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, duke i kërkuar të kufizojë lëvizjen e diplomatëve rusë në zonën Shengen, me shqetësimin e tyre se lëvizja e lirë e diplomatëve lehtëson “veprimtaritë keqdashëse”.
Dërgimin e letrës e konfirmoi më 13 qershor në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavsky.
Ai tha se masa ishte e nevojshme sepse lëvizja e diplomatëve rusë dhe anëtarëve të familjeve të tyre në zonën Shengen “krijon infrastrukturën” për aktivitete të paligjshme.
Në letër thuhet se “inteligjenca, propaganda, apo edhe përgatitja e akteve të sabotimit janë ngarkesa kryesore e punës për një numër të madh “diplomatësh” rusë në BE”, sipas AFP-së, e cila mori një kopje të letrës.
Borrellit i bëhet thirrje që të propozojë urgjentisht masa kufizuese, raportoi AFP më 13 qershor.
Në intervistën e tij për Radion Evropa e Lirë, një version i plotë i së cilës do të publikohet më 14 qershor, Lipavsky tha se lëvizja e diplomatëve rusë shtron bazën për kërcënime në hapësirën kibernetike dhe “sabotime dhe ndërhyrje” të tjera në mes të shqetësimit mbi përpjekjet e Moskës për të krijuar përçarje brenda BE-së.
Ai tha se këto kërcënime hibride po rriteshin dhe Bashkimi Evropian duhet t’i tregojë Rusisë se kjo nuk do të tolerohet.
Ai citoi Zërin e Evropës, një faqe interneti lajmesh me bazë në Pragë, të cilën Republika Çeke në mars e shtoi në listën e saj të sanksioneve, pasi u përcaktua se po përpiqej të kryente operacione ndikimi në dobi të Moskës në territorin çek.
Që atëherë, janë zbuluar gjithnjë e më shumë operacione dezinformuese, tha ai.
Letra dërguar Borrell-it u “nënshkrua me kënaqësi” nga Holanda, Danimarka, Estonia, Letonia, Lituania, Polonia dhe Rumania, tha Lipavsky.
Letra, që mban datën 11 qershor, kërkon një masë që “do të ngushtojë ndjeshëm hapësirën operacionale për agjentët rusë”.
“Ne po u ofrojmë diplomatëve rusë…[mundësinë] për të udhëtuar…në gjithë Evropën. Nuk e kuptoj pse”, tha Lipavsky për Radion Evropa e Lirë.
Rusia kufizon udhëtimin e diplomatëve të BE-së, “kështu që ne duhet ta heqim këtë asimetri për hir të sigurisë sonë kombëtare”, shtoi ai.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova tha më 13 qershor se Rusia do t’i përgjigjet çdo kufizimi të vendosur nga vendet evropiane për lëvizjen e diplomatëve të saj.
Zakharova u tha gazetarëve se Perëndimi ishte i infektuar nga rusofobia dhe Moska do të merrte masa hakmarrëse nëse vendosej ndonjë kufizim.
Vendet e BE-së kanë reduktuar në mënyrë dramatike numrin e diplomatëve rusë që lejohen të qëndrojnë në vendet e tyre, që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Moska është përgjigjur duke dëbuar diplomatë nga Rusia.