Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj zhvilloi dje një takim në Drejtorinë Vendore të Policisë së Elbasanit. Ministri Demiraj kërkoi nga drejtuesit dhe efektivët e Policisë së Qarkut Elbasan punë intensive për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, për një proces zgjedhor të sigurt e të qetë, luftë pa kompromis ndaj kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, monitorimin e goditjen e grupeve të ndryshme kriminale që mund të ndikojnë në procesin zgjedhor.
Takimi i djeshëm në Elbasan ishte në vijim të takimeve intensive që ministri Demiraj po ndërmerr në gjithë Drejtoritë Vendore të Policisë së Shtetit. Dy ditë më parë, Demiraj zhvilloi një takim me drejtuesit e Policisë në Qarkun Lezhë dhe Shkodër. Gjatë takimeve, Demiraj ka kërkuar që asnjë punonjës policie me uniformë dhe pa uniformë të mos dalin në fushatën zgjedhore të partive politike. Ai ka deklaruar se do të ketë zero tolerancë për policët që përfshihen në aktivitetet politike.
Po ashtu, ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj zhvilloi dje një takim me kreun e Prokurorisë për Krime të Rënda Besim Hajdarmataj. Në qendër të bisedimeve ka qenë intensifikimi e bashkëpunimi në luftën kundër trafiqeve dhe personave të përfshirë në të.
Pak ditë më parë, ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj zhvilloi një takim me Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla në zyrën e këtij të fundit. Gjatë takimit është diskutuar për masat e rrepta që do të ndërmerren për zgjedhjet dhe drogën. Po ashtu është diskutuar për masat konkrete për neutralizimin e potencialit të blerjes së votave, ndjekjen penale të punonjësve të administratës të përfshirë në zgjedhje dhe luftën kundër drogës. Gjatë takimit, kryeprokurori Llalla është shprehur se nuk do të lejohet asnjë shkelje e ligjit për fushatën zgjedhore. Demiraj që prej marrjes së detyrës ka zhvilluar takime intensive me drejtues të lartë të institucioneve shtetërore.