Ministri gjerman i mbrojtjes viziton Ukrainën në shenjë përkrahjeje

Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius zhvilloi një vizitë në Kiev të martën në shenjë mbështetjeje për Ukrainën në luftën e saj kundër sulmit rus, që filloi para tre vitesh.

 

Zyrtarët gjermanë thanë se vizita kishte për qëllim të siguronte Ukrainën se do të vazhdojë të gëzojë përkrahje. Ministri Pistorius do të takohet me zyrtarë të lartë ukrainas.

Ai viziton Ukrainën vetëm disa ditë para inaugurimit të Presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump dhe mes pikëpyetjeve se si mund të ndryshojë politika e Shteteve të Bashkuara ndaj Ukrainës nën administratën e re.

Zyrtarët nga disa rajone të Rusisë njoftuan të martën për sulme të shumta me dronë ukrainasë, përfshirë rajonin Saratov, ku sipas Guvernatorit Roman Busargin dy komplekse industriale në qytetet Saratov dhe Engels, pësuan dëmtime.

Në këtë zonë ndodhet baza e aeroplanëve bombardues rus. Javën e kaluar, Ukraina sulmoi një depo karburanti që furnizon këtë bazë.

Guvernatori i rajonit Oryol, Andrei Klychkov shkroi në platformën Telegram se sistemet mbrojtëse ajrore ruse rrëzuan 17 drone ukrainase në rajonin e tij. Ai nuk tregoi për dëme apo viktima nga këto sulme.

Guvernatori i rajonit Rostov, Yury Slyusar tha se 14 drone ishin shkatërruar gjatë natës, ndërsa zyrtarët në Voronezh njoftuan se disa dronë ukrainasë ishin rrëzuar pa shkaktuar dëme.

Ministria ruse e mbrojtjes gjithashtu njoftoi se ka rrëzuar gjashtë raketa amerikane ATACMS dhe gjashtë raketa britanike ‘Storm Shadoë’ në rajonin e Bryanskut, si dhe dy të tjera në Detin e Zi. Sipas ministrisë, nuk pati viktima e as dëme.

Ushtria ukrainase njoftoi të martën se shkatërroi 58 nga 80 dronë që forcat ruse i përdorën për sulme ndaj 11 rajoneve të ndryshme.

Forcat ajrore të Ukrainës njoftuan për dëmtime të ndërtesave të banimit, atyre afariste dhe veturave në Cherkasy, Kharkiv, Kiev, Sumy dhe Zhytomyr nga mbetjet e dronëve të rrëzuar.

Sistemet mbrojtëse ajrore ukrainase gjithashtu shkatërruan dronet ruse në Dnipropetrovsk, Kherson, Kirovohrad, Mykolaiv, Odesa dhe Poltava, sipas forcave ajrore të Ukrainës./VOA/

Exit mobile version