Ministri i Jashtëm gjerman paralajmëron për garë të re armësh në botë

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, paralajmëroi të premten për një garë të re të armëve në botë dhe bëri thirrje për rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar për të zvogëluar, siç tha, “rrezikun e përshkallëzimit”.

Duke folur në një konferencë në Berlin, Maas veçoi testet raketore të Koresë së Veriut, sistemet e reja të armatimit në Rusi, programin ushtarak të Indisë dhe sulmet me dronë në rafineritë e naftës në Arabinë Saudite, për të cilat tha se kanë mundur të shkaktojnë një luftë të shkallës së gjerë.

“Kjo rrugë do të na çojë në garë globale armësh. Miliarda euro, dollarë ose rubla do të shpenzohen në programe të sofistikuara të raketave dhe sistemeve të mbrojtjes”, tha Maas.
“Rreziku i përshkallëzimit do të rritet dhe çdo llogaritje e gabuar mund të çojë në katastrofë”, paralajmëroi ai.

Maas i bëri komentet në hapje të Nismës për Dialog për Raketat – një projekt ky që synon të nxisë diskutimin global mbi të ardhmen e kontrollit të armëve dhe të kontribuojë në lidhjet midis ekspertëve dhe përfaqësuesve të qeverive.

Një garë e madhe armësh midis Shteteve të Bashkura dhe ish-Bashkimit Sovjetik ka marrë fund në fillim të viteve 1990, me përfundimin e Luftës së Ftohtë.

Exit mobile version