Ministri i Jashtëm i Francës: BE-ja nuk do të tolerojë sulme në kufijtë e saj

Ministri i Jashtëm i Francës tha të mërkurën se Bashkimi Evropian nuk do t’i lejojë vendet e tjera të sulmojnë kufijtë e tij sovran, duke iu përgjigjur kësisoj komenteve të presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump, për të marrë nën kontroll Groenlandën.

 

Presidenti i zgjedhur nuk përjashtoi përdorimin e forcës ushtarake apo veprimeve ekonomike për të marrë nën kontroll Kanalin e Panamasë dhe Groenlandën, duke thënë se kontrolli amerikan i dyjave është jetik për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Ministri i Jashtëm francez Jean-Noel Barrot, tha se nuk besonte që Shtetet e Bashkuara do të pushtonin ishullin e madh në Arktik, që është pjesë e Danimarkës për më shumë se 600 vjet.

“Qartazi nuk ka dyshim që Bashkimi Evropian do t’i lejonte kombet e tjera të botës të sulmonin kufijtë e tij sovranë, kushdo qofshin ata”, tha ai për radion France Inter. “Ne jemi një kontinent i fortë”, shtoi ai.

Komentet e zotit Trump përvijuan më tej një agjendë ekspansioniste, dy javë para se të marrë detyrën me 20 janar në Uashington.

“Nëse po më pyesni nëse unë mendoj se Shtetet e Bashkuara do të pushtojnë Groenlandën, përgjigja ime është jo. Por, a kemi hyrë në një periudhë kohore kur flitet për mbijetesën e më të fortit? Atëherë përgjigja ime është po”, tha ministri Barrot.

Ai tha se BE-ja nuk duhet të lejojë veten të frikësohet ose të shqetësohet tepër, por duhet të zgjohet dhe të forcohet./VOA/

Artikulli paraprak“Djali shtrëngoi gjoksin, e mora për ta çuar tek Pediatria, por më mbaroi në krahë”- Vdekja e 12-vjeçarit, flet familjari: S’e trajtuan si duhej! Nga mjekimet…
Artikulli tjetërE ardhmja e Ramadanit në pikëpëpyetje, flet drejtori teknik i Leçes