Me rritjen e intensitetit të operacioneve ushtarake të forcave që udhëhiqen nga Turqia kundër milicisë kurde siriane YPG në enklavën Afrin të kontrolluar nga kurdët e Sirisë, Ankaraja ka reaguar me kujdes ndaj njoftimeve se Damasku do të ndërhyjë ushtarakisht. Ankaraja ka paralajmëruar Damaskun për mbështetjen që ofron për YPG-në. Duke folur të hënën gjatë një vizite në Jordani, ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu paralajmëroi Damaskun për çdo veprim që kishte planifikuar të ndërmerrte. “Nëse ata po shkojnë atje për të pastruar YPG-në, atëherë nuk ka asnjë problem”, tha ai, “Por nëse forcat siriane po hyjnë në Afrin për të mbrojtur YPG-në, askush nuk mund të na ndalojë ne ushtarakisht”. Qeveria turke ka deklaruar se qëllimi i operacionit të saj është të largojë milicinë YPG-së nga Afrini dhe të krijojë një zonë sigurie prej 30 kilometrash. Ankaraja akuzon milicinë si terroriste dhe si shkaktare të trazirave prej disa dekadash në Turqi. Shtetet e Bashkuara e mbështetin YPG-në në luftën kundër Shtetit Islamik.
Të hënën, televizioni shtetëror sirian njoftoi se forcat e mbështetura nga qeveria e Presidentit Bashar al-Assad kishin arritur një marrëveshje me YPG-në për t’u vendosur në enklavën e pretenduar nga palët atë të Afrinit. Njoftohet se zyrtarët e milicisë kurde të Sirisë po japin mesazhe të ndryshme nëse është arritur një marrëveshje përfundimtare me Damaskun. Zyrtarët sirianë thonë se ofensiva turke në Afrin është një shkelje e integritetit territorial dhe paralajmëruan se do të ndërmarrin hapa për t’i rezistuar. Ankaraja thotë se, operacioni synon vetëm sigurimin e kufijve të saj dhe është brenda kufijve që përcakton ligji ndërkombëtar. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan i ka refuzuar thirrjet e krerëve të partive opozitare në Turqi për të hapur një dialog me homologun e tij sirian. Një përplasje e mundshme ushtarake mes Turqisë dhe Sirisë paraqet një problem për Rusinë, që është mbështetëse kryesore e regjimit të Asadit, por që i ruan lidhjet me presidentin turk Erdogan. Forcat ruse po i lejojnë avionët turq të hyjnë në hapësirën ajrore siriane, në mbështetje të ofensivës së vazhdueshme ushtarake. Të hënën mediat turke njoftuan se udhëheqësit rusë dhe turq biseduan në telefon në lidhje me Sirinë.