Ministri për Mirëqenien Sociale, Blendi Klosi, i cili nën përgjegjësi ka edhe kategorinë e fëmijëve, në vetëdeklarimin që ka kryer në formularin e dekriminalizimit pranon se në vitin 1994 është ndaluar nga policia, ndërsa çështja ka shkuar në gjykatë. Sipas formularit të plotësuar nga vetë Klosi, rezulton se pasi është ndaluar, ka qenë Gjykata e Tiranës, e cila ka pushuar çështjen. Vendimi i Gjykatës së Tiranës mban numrin 819 dhe është i formës së prerë. Po sipas mediave, vendimi në fjalë ka të bëjë me akuzën e shfrytëzimit të të miturve ose cituar si shtytje ose tërheqje e të miturve nën moshën 14 vjeç. Këto të dhëna bëhen komprometuese në një kohë kur opinioni publik është shokuar nga skandali që po ndodh me të miturit në jetimoren e Shkodrës, Sarandës dhe jo vetëm ku jetimët, përdhunohen e keqtrajtohen e ku të implikuar direkt janë drejtuesit e këtyre institucioneve. Sot, Blendi Klosi, i akuzuar vite më parë për shfrytëzim të të miturve edhe pse i padënuar është ministri përgjegjës që duhet të garantojë mbrojtjen e të drejtat e këtyre fëmijëve. Por krahas kësaj, Bledi Klosi është akuzuar disa herë nga opozita për lidhje të forta me trafikun e drogës.
ipokrizia e Klosit me Jetimoren e Shkodrës
Anjezë Gjeluci, drejtoresha e Shtëpisë së Fëmijës në Shkodër, u shkarkua vjet nga ky post me urdhër të Blendi Klosit pas publikimit të videoskandalit me fëmijët e këtij institucioni, ku tri kujdestare ishin filmuar duke ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj fëmijëve jetimë. Por shkarkimi i Gjelucit nga Klosi është bërë sa për show mediatik, pasi bëhet e ditur se Gjeluci tashmë është emëruar në një post drejtues në Bashkinë Tiranë. “Pas rastit të abuzimit me fëmijët në atë qendër, doli ministri Klosi dhe deklaroi se drejtoresha dhe dy kujdestare janë pushuar nga puna. Po a e dini ku është sot drejtoresha këngëtare? Pasi e bënë anëtare të Asamblesë së PS, tani është emëruar nëndrejtoreshë e Drejtorisë së Konvikteve në Bashkinë Tiranë. Ajo tani është edhe promovuar e do të punojë përsëri me fëmijë të një moshe shumë delikate, me adoleshentë. E keni kthyer Bashkinë Tiranë si punishte riciklimi abuzuesish. I hiqni gjoja nga pushteti vendor dhe i emëroni në Bashkinë e Tiranës. Pra, cilët janë zanatet që kryesojnë në listën e Rilindjes ku ka vende për t’u punësuar? Fillon me zanatin: Kriminel?, pastaj abuzues me fëmijë, abuzues me gra; abuzues me postin e punës, trafikant droge, trafikant njerëzish e kështu lista vazhdon më tej me disa nga zanatet që merren nga arsimi profesional për të cilin keni dhënë shumë mbështetje e fonde”, ka denoncuar deputetja demokrate Albana Vokshi.
Arben Shahini