Ministri për Europën, jo më Ministri e Jashtme

Një risi në strukturën e qeverisë. Burime zyrtare i thanë “Top Channel” se në Presidencë ka mbërritur e firmosur kërkesa e Kryeministrit Rama për dekretimin e qeverisë së re.
Të njëjtat burime treguan për një risi në emërtimin e Ministrisë së Jashtme. Tanimë dikasteri i drejtuar nga Ditmir Bushati do të quhet Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme.
Mesa duket, Edi Rama ka reflektuar në këtë ndryshim, njëfarë shqetësimi që ngjalli mungesa jo vetëm e shkrirjes së Ministrisë së Integrimit Europian, po edhe thjesht mungesa e termit “integrim europian” në përbërjen e kabinetit të ri, shqetësim që u shpreh dhe nga ambasadori i BE në Tiranë.
Por njëkohësisht, Kryeministri e ka plotësuar këtë boshllëk semantik në ballinën e qeverisë së re, duke zgjedhur emërtimin Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme.
Por nga ana tjetër, emërtimi i ri i Ramës duket sikur thotë se Shqipëria është në Europë, ka një ministri për Europën dhe Integrimi nuk është më një shtojcë ministrore apo semantike, po një aspekt i përkatësisë europiane të Shqipërisë.

Exit mobile version