Ish-ministrja e Arsimit Mirela Karabina duke folur në “Mcn Informacion” për ministrinë e re që pritet të krijohet për kërkimin shkencor tha se një lëvizje e tillë centralizon dhe godet autonominë universitare.
Karabina tha që kryeministri po pranon dështimin e ligjit të arsimit të lartë në Shqipëri.
“Sa herë që ka situata ku qeverisja përballet me dështimet e saj, ndërmerr një hap që konfuzon sistemin arsimor, në këtë rast sistemin universitar. Kryeministri me sa duket po pranon që reforma në arsimin e lartë ka dështuar. Në 2015-ën hyri në fuqi një ligj i arsimit të lartë, që asokohe u kundërshtua nga stafet akademike. Ideja ishte që kishte risi në lidhje me financimin në universitete, që në fakt e centralizoi. Universitetet humbën pavarësinë financiare, pasi në bordet drejtuesve të universiteteve ata që kontrollonin shumicën ishin nga MAS. Fakti që buxheti është ndër më të ulëtit në dekada, tregon sa në vëmendje të kësaj qeverie ka qenë arsimi. Nuk e dimë si do funksionojë kjo ministria e posaçme. E centralizon, i kthen këto në mekanizma burokratikë. Do ta marrë në dorë vet shkencën kryeministri. Është goditur autonomia universitare. Si e hedh këtë pa një konsultim të drejtpërdrejtë me stafe akademike?! Përdoret arsimi për interesa politike”.