Ministri i Ramës, 100 mijë euro për të emëruar vrasësin drejtor

Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri ka marrë 100 mijë euro ryshfet për të emëruar vrasësin drejtor në Aviacionin Civil! Denoncimi është bërë nga ish-Kryeministri Berisha pas mesazhit të marrë nga një zyrtar. Gjiknuri ka emëruar Krislen Kerin në krye të Aviacionit Civil, ndërsa zyrtari i shkruan Berishës se, babai i Krislen Kerit është pronari i karburantit në Golem, ku u aksidentuan një vit më parë një nënë me dy fëmijët e saj të vegjël.
Në një postim në Facebook, Berisha shkruan se, u zhvillua një konkurs fals për këtë post, dhe që u “fitua” nga një person i dënuar më parë për vrasje. “Gjiknuri merr 100 mijë euro ryshfet dhe emëron vrasësin drejtor në Aviacionin Civil! Lexoni mesazhin tronditës të nëpunësit dixhital. I bëj thirrje Prokurorisë të hetojë me përparësi akuzat e qytetarit dixhital”, shkruan Berisha.
“Përshëndetje. Në Ministrinë e Infrastrukturës u zhvillua konkursi për drejtorin e Aviacionit Civil! Ky konkurs i stisur përfundoi duke nxjerrë fitues, vrasësin e një nëne edhe dy fëmijëve të vegjël tek karburanti i babait të tij në Golem! Gjiknuri legjitimon edhe njëherë një vrasës, i cili ka gënjyer në CV-në e tij, duke mos plotësuar asnjë nga kushtet e kërkuara, edhe duke e lënë Aviacionin Civil në duart e mafias! Bashkangjitur keni listën e fituesve edhe kërkesat e kërkuara gjasme nga ministria, këto pikë u kontestuan nga të gjithë anëtarët e garës, por asnjë në ministri nuk ka ndërhyrë pasi zoti Gjiknuri ka marrë mbi 100 mijë euro për pozicionin në fjalë! Ju lutem anonim, për arsye profesionale, ju faleminderit!
Siç edhe mund të shikoni, anëtarët e garës janë të gjithë njerëz të respektuar, me historik në aviacion! Ju lutem, ngrijeni si çështje. Këto janë konkurset e Edi Ramës! Kërkoni për këtë Krislen Kerrin në Google, rezultatet flasin vetë!”, shkruan zyrtari.
Aksidenti tragjik ndodhi për karburantin e Kerit
Aksidenti tragjik ku humbën jetën dy fëmijë të moshave 3 dhe 5 vjeç, ndodhi më 8 maj të vitit 2016 në aksin Golem Kavajë. Nëna me fëmijët po udhëtonte me makinë, por u përplas me ndarësen e rrugës për shkak të mos vendosjes së mbrojtëseve metalike anës rrugës për të favorizuar pikën e karburantit të babait të Krislen Kerit. Pas hetimeve, Prokuroria e Kavajës doli në konkluzionin se, dy kalime nga autostrada Plepa-Golem në rrugën dytësore në krah të djathtë janë lënë qëllimisht për të favorizuar këtë pikë karburanti. Prokurorët, dyshojnë se kjo ka qenë arsyeja që Autoriteti Rrugor Shqiptar e ka marrë në dorëzim rrugën edhe pse ishte cënuar një element i rëndësishem i sigurisë rrugore.
Për këtë arsye, Autoriteti Rrugor Shqiptar është institucioni që po hetohet për këtë rast. Burime nga Prokuroria konfirmuan se, është regjistruar procedimi penal për akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi ka dyshime se ky institucion nuk ka zbatuar rregulloren në aksin rrugor ku ndodhi aksidenti. Burimet sqarojnë se ka mungesë të thesuar të sinjalistikës rrugore çka ka sjellë dhe aksidentin fatal.
Mbrojtësja metalike, sipas Prokurorisë së Kavajës, nuk duhet të ishte e ndërprerë në asnjë rast, në një rrugë ku shpejtësia maksimale e lejuar është 100 kilometër në orë. Por edhe sinjalistika në lidhje me shpejtësinë po hetohet. Vetëm në vendin ku mbrojtësja nuk është vendosur, shpejtësia është 60 kilometër në orë.
Gruaja po shkonte në Burgun e Rrogozhinës për të takuar të shoqin së bashku me tre fëmijët, i cili ishte burgosur për ndërtim të paligjshëm. Mirëpo pësoi aksident me makinën e saj dhe si pasojë, dy fëmijë humbën jetën. Dy fëmijët që humbën jetën ishin të moshave 3 dhe 5 vjeç, ndërsa fëmija 1 vjeç fatmirësisht mundi të mbijetojë së bashku me të ëmën.

Artikulli paraprak“Sekretet e Luftës”, një libër për të panjohurat historike
Artikulli tjetërProkuroria: Sota dhe Tahiri i ndërruan makinat në kufi