Ministri i Brendshëm federal Seehofer synon procedura më të shpejta për azilin dhe dëbime më të vendosura. Kurse zëvendëskryetarja e SPD-së Schwesig bën thirrje për një politikë të re për refugjatët.
Horst Seehofer do që menjëherë pas marrjes së detyrës si ministër i Brendshëm të takohet me të gjithë punonjësit dhe institucionet vartëse për të përpiluar një “masterplan për procedura më të shpejta për azilin dhe për dëbime të vendosura”. Kështu tha politikan i CSU-së për gazetën “Bild am Sonntag”.
“Numri i riatdhesimeve duhet të rritet ndjeshëm dhe ne duhet të jemi më të ashpër sidomos kundrejt kriminelëve dhe personave të rrezikshëm në radhët e azilkërkuesve”, tha Seehofer.
Në përgjithësi, ai deklaroi se “toleranca ndaj shkelësve të ligjit do të jetë zero”. “Ne duam të mbetemi një vend kozmopolit dhe liberal, por kur është fjala për mbrojtjen e qytetarëve kemi nevojë për një shtet të fortë dhe unë do të kujdesem për këtë”. Policia duhej të pajisjet me teknikë optimale. “Ne kemi nevojë për mbikëqyrje efektive me video në të gjitha pikat e nxehta në vend”, tha ministri i ri i Brendshëm.
Schwesig: “Debate të ndershme”
Kurse zëvendëskryetarja e SPD-së, Manuela Schwesig, i bëri thirrje partisë së saj që të diskutojë hapur për deficitet në integrimin e refugjatëve. “Ne të gjithë, përfshirë edhe SPD-në, duhet të pranojmë se duhet ta zhvillojmë debatin mbi kufijtë realë të integrimit më fort dhe më sinqerisht, pa e shtruar për diskutim pranimin e refugjatëve”, tha kryeministrja e landit Mecklenburg-Vorpommern për gazetën “Welt am Sonntag”.
Schwesig kritikoi se edhe SPD-ja ua ka bërë jashtëzakonisht të lehtë radikalëve dhe ekstremistëve të djathtë. “AfD nxit frikëra që i duhen për për suksesin e saj”. Detyra e SPD-së është t’i kuptojë frikërat ekzistuese, t’i trajtojë ato dhe të ofrojë zgjidhje”, tha ajo. /DW/