Pavarësisht se zgjedhja e Donald Trump në SHBA, ka rritur shpresat për arritjen e një marrëveshje në Ukrainë, Rusia duket se ka një plan edhe për zgjerimin e mëtejshëm të konfliktit.
Në një deklaratë të fundit të ministrit rus të Mbrojtjes, Andrei Belousov, thuhej se Rusia po përgatitet për luftë me NATO-n, si dhe të përfundojë luftën e saj kundër Ukrainës. Sipas tij, vendimet e marra nga Aleanca e Atlantikut sugjerojnë për një përplasje ushtarake mes tyre.
“Forcat e Armatosura Ruse këtë vit adresuan objektivat e vendosura nga Komandanti Suprem i Përgjithshëm si pjesë e një konfrontimi të ashpër me Perëndimin kolektiv, i cili vazhdon të intensifikohet dhe të përshkallëzohet. Ministria e Mbrojtjes po përgatitet për çdo zhvillim të situatës, duke përfshirë një konflikt të mundshëm ushtarak me NATO-n në Evropë në dekadën e ardhshme, siç tregohet nga vendimet që Aleanca e Atlantikut të Veriut mori në samitin e korrikut. Krijimi i rretheve ushtarake të Moskës dhe Leningradit duhet të përfundojë si përgjigje ndaj zgjerimit të NATO-s. Për të zmbrapsur kërcënimet nga aleanca, duhet të adresohen disa synime, duke përfshirë prezantimin e qasjeve të reja për formimin e programit të armatimit të qeverisë. Rusia dhe partnerët e saj në Organizatën e Traktatit të Sigurisë Kolektive dhe CIS duhet të krijojnë mekanizma efektivë për përgjigje kolektive ndaj kërcënimeve të reja”, tha ai.
Komentet ruse vijnë pasi Presidenti i sapozgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump bëri thirrje për një përfundim të shpejtë të luftimeve.
“Ne po përpiqemi të ndalojmë luftën, atë luftë të tmerrshme, të tmerrshme që po ndodh në Ukrainë, Rusi, Ukrainë. Ne do të kemi një përparim të vogël, është një e vështirë, është e keqe, është e keqe”, tha Trump.
Belousov tha se Rusia ka marrë iniciativën në luftime dhe synon të pushtojë plotësisht rajonet Luhansk, Zaporizhzhia, Kherson dhe Donetsk të Ukrainës deri në vitin e ardhshëm.
Ai pohoi se trupat ukrainase janë të rraskapitur dhe ushtria ruse ka përparuar me shpejtësi në të gjitha frontet. Sipas tij, humbjet ukrainase tejkaluan 560,000 ushtarakë të vrarë dhe të plagosur në vitin 2024, dhe se humbi pothuajse 1 milion njerëz gjatë gjithë periudhës së luftës.
“Trupat ruse kanë çliruar pothuajse 4,500 kilometra katrorë të territorit të pushtuar nga Ukraina deri më tani në vitin 2024. Aftësitë luftarake të armikut janë zvogëluar. Vetëm këtë vit, humbjet ukrainase i kaluan 560,000 ushtarë të vrarë dhe të plagosur. Dhe ato arritën, siç vuri në dukje Vladimir Vladimirovich [Putin], pothuajse 1 milion njerëz gjatë gjithë periudhës së operacionit special ushtarak. Vetëm në lojën e pamatur të Kurskut, regjimi i Kievit humbi më shumë se 40,000 ushtarakë”, tha ai, raporton “TASS”.
Ndër të tjera ministri rus, kërkoi edhe rritjen e kapaciteteve për raketën balistike me rreze të mesme veprimi “Orshenik”, që mund të mbajë koka bërthamore dhe është pothuajse e pandalshme. Sipas tij, vendit duhet të jetë i përgatitur për një luftë të madhe.
“Vitin e ardhshëm, është e nevojshme të rritet prodhimi i sistemit raketor Oreshnik me rreze të mesme veprimi dhe të vazhdohet puna për projekte të tjera premtuese. Është e nevojshme të bëhet një gjendje, të sistemohet testimi dhe të organizohet prodhimi vëllimor i produkteve teknike inovative që do të bënin të mundur shpëtimin e jetës së ushtarakëve rusë. Është e nevojshme të krijohet një mjedis informacioni i integruar për vendimmarrje në lidhjen taktike. Forcat e Armatosura Ruse duhet të kenë personel të plotë me qëllim të konflikteve të parashikuara. Ministria e Mbrojtjes planifikon të modernizojë sistemin e institucioneve të arsimit të lartë ushtarak, duke përfshirë objektet dhe burimet e tyre. Forcat e Armatosura Ruse do të vazhdojnë të përmirësojnë sistemet dhe sistemet robotike për kontrollin e tyre të mundësuar nga inteligjenca artificiale”, tha ai, raporton “TASS”.
Në të njëjtën kohë, Putin fajësoi SHBA-në për frikësimin e njerëzve me një kërcënim mitik rus, ndërsa vetë dërgon “instruktorë” për të ndihmuar Ukrainën. Ai fajësoi NATO-n për tensionet e Rusisë me Perëndimin.
“Për shkak të kësaj, Rusia po i afrohet vijës së kuqe, përmes së cilës nuk mund të tërhiqet më dhe fillon të përgjigjet. Vendet e NATO-s rrisin shpenzimet ushtarake dhe praninë pranë kufijve rusë. Numri i ushtarakëve amerikanë në Evropë tashmë ka kaluar 100,000”, tha Putin.
Situata duket se nuk është aspak në rrugën e duhur, veprimet e fundit të presidentit Biden, duket se e kanë tensionuar situatën dhe minuar disi propozimin e Donald Trump për një paqe të shpejtë. Nëse Trump nuk tregohet disi tolerant dhe i shpejtë në tentativën e tij për të arritur paqen, përshkallëzimi dhe konfrontimi i drejtpërdrejtë NATO-Rusi do të jetë i pashmangshëm.