Komisioni Europian në raportin e vet të fundit për Shqipërinë nënvijëzon se kuadri ligjor aktual për koncesionet, si dhe praktikat koncesionare janë jo në përputhje me standardet europiane në këtë fushë
Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale, Besnik Dervishi urdhëroi Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë të bëjë publik dokumentet kryesore të dy projekteve për partneritet publik privat, (koncesione) pas kërkesave për të drejtë informimi dhe ankesave të kryera nga “BIRN Albania”. Vendimet, të para të këtij lloji, vendosin një precedent të rëndësishëm mbi transparencën që kërkohet nga institucionet publike në rastet e procedurave të koncesioneve të pakërkuara, transparencë e cila deri më sot është refuzuar nga institucionet me argumentime të ndryshme, përfshirë argumentin e sekretit tregtar apo “dokumenteve për përdorim të brendshëm” apo “pronësia intelektuale”, argumente të cilat komisioneri i konsideroi si të pavlefshme përballë Ligjit “Për të drejtën e informimit” dhe vetë Ligjit për Koncesionet.
“BIRN Albania” dorëzoi dy kërkesa për të drejtë informimi te Ministria e Energjisë dhe Industrisë në lidhje me koncesionet për hidrocentralin Katund i Ri mbi Drin, si dhe për koncesionin e ndërrimit të poçave të ndriçimit në Tiranë dhe Durrës të kërkuar nga kompania “HeSaLight”. Ministria e Energjisë dhe Industrisë refuzoi të vërë në dispozicion dokumentet e kërkuara duke iu referuar ligjeve të ndryshme, përfshirë Ligjit “Për statusin e nëpunësit civil” të vitit 1999, (i cili ndërkohë ka tre vjet që është shfuqizuar, si dhe nenit 15 të Ligjit “Për koncesionet”). Komisioneri Besnik Dervishi thirri në një seancë palët para se të vendoste pranimin e të dy kërkesave të “BIRN Albania” në vendimet e marra më datë 16 qershor. Ministria e Energjisë dhe Industrisë duhet t’i zbatojë vendimet duke vënë në dispozicion të publikut dokumentet e kërkuara deri më datë 30 qershor 2016.
Katundi i Ri dhe “HeSaLight”
Qeveria shqiptare pranoi një ofertë për koncesion të pakërkuar nga kompanitë turke “Suzer Group” dhe “Nurol Holding” për ndërtimin e hidrocentralit Katundi i Ri mbi lumin Drin në janar 2016. Disa ekspertë, si dhe Partia Demokratike në opozitë e konsideruan dhënien e bonusit për hidrocentralin abuziv për shkak se Katundi i Ri është pjesë e skemës së shfrytëzimit të pjesës së sipërme të kaskadës së Drinit, identifikuar si mundësi nga një studim i kryer nga kompania franceze “Sogreah” për llogari të KESH në vitin 2009. Pas publikimit të lajmit, “BIRN” kërkoi përmes një kërkese për të drejtë informimi më 19 prill 2016 tri dokumente: Kopje të studimit të kryer nga kompania “Sogreah”, në vitin 2009; kopje të kërkesës për koncension të pakërkuar për HEC-in Katund i Ri dhe; kopje të procesverbalit të konsultimit me banorët e prekur nga HEC-i.
Ministria iu përgjigj “BIRN” më 3 maj duke argumentuar se informacioni i kërkuar nuk mund të jepet për shkak të parimit të konfidencialitetit dhe sekretit tregtar.
Më 20 prill, “BIRN” i dërgoi një kërkesë tjetër Ministrisë së Energjisë, kësaj here në lidhje me koncesionin e njohur si “HeSaLight” duke kërkuar gjithashtu kopje të kërkesës për koncesion të pakërkuar të dorëzuar nga kompania në fjalë. Ministria refuzoi për të njëjtat arsye të konfidencialitetit dhe sekretit tregtar.
“BIRN” u ankua pranë komisionerit duke argumentuar se refuzimi për dhënie informacioni nga ana e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë nuk mund të justifikohej në bazë të parimeve të konfidencialitetit dhe sekretit tregtar për shkak se Ligji “Për koncesionet” 125/2013 ka në thelb të vet transparencën në dhënien e aseteve apo fondeve publike në përdorim nga kompanitë private përmes partneritetit publik privat dhe se sekreti tregtar dhe konfidencialiteti nuk janë parime të përgjithshme, por specifike.
Komisioneri për të Drejtën e Informimit kreu një hetim administrativ pranë ministrisë dhe thirri një seancë dëgjimore mes palëve më 10 qershor. Në fund, komisioneri Besnik Dervishi doli në konkluzionin se partneriteti publik privat dhe koncesionet janë me rëndësi të veçantë dhe kërkojnë transparencë maksimale, bazuar kjo në vetë Ligjin “Për koncesionet”, si dhe në Ligjin “Për të drejtën e informimit”, duke pranuar kërkesën e “BIRN” dhe duke urdhëruar Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë të bëjë publik dokumentet e kërkuara.
“Pas shqyrtimit të ankesës, parashtrimeve, seancës dëgjimore, si dhe pas konsultimit të legjislacionit përkatës rezulton se, informacioni i kërkuar nga qendra ‘BIRN Albania’ përbën informacion publik”, shkroi komisioneri Dervishi në vendimin e tij për rastin e koncesionit Katundi i Ri.
“Theksojmë se e drejta për t’u informuar është një prej të drejtave themelore të njeriut, parashikuar në nenin 23 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Kjo e drejtë duhet parë e lidhur ngushtë me parimin e transparencës dhe llogaridhënies, si një shtyllë tjetër themelore e shtetit të së drejtës. Funksionimi i tyre do të ishte në interesin e të dy palëve”, shkruhet në vendimin e komisionerit.
Ligji “Për të drejtën e informimit” u miratua në vitin 2014 dhe i jep të drejtë çdo qytetari të kërkojë një kopje të çdo dokumentacioni të prodhuar nga institucionet publike apo korporatat publike me përjashtim të rasteve të sekretit shtetëror, ku sekret shtetëror nënkuptohet vetëm ajo pjesë e dokumenteve e klasifikuar si e tillë. Në rast se kërkesa e qytetarit refuzohet, ai ka të drejtë të ankohet. Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale është krijuar në bazë të këtij ligji për të garantuar zbatimin e ligjit.
Dëgjesa publike pa procesverbal
Sa i përket pikës së tretë për kopje të procesverbalit të konsultimeve publike, më vonë rezultoi se një dokument i tillë nuk ekziston. Ministria e Energjisë pati njoftuar në shkurt 2016 se zv.ministri Ilir Bejtja pati bërë një “dëgjesë publike” me banorët. Në njoftim raportoheshin fjalët e zyrtarëve, por jo fjalët e qytetarëve që pritet të humbasin shtëpitë dhe tokat nga hidrocentrali i ri. Dhe se çfarë i kanë thënë qytetarët zyrtarëve gjatë kësaj “dëgjese publike” ka gjasa nuk do ta marrim vesh kurrë, për shkak se procesverbali përkatës nuk ekziston. Konsultimi publik duhet të kryhet në bazë të një ligji tjetër të rëndësishëm të miratuar krahas Ligjit “Për të drejtë informimi”, Ligji 146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik”. Por takimi i Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë i datës 21 shkurt 2016 duket se nuk i plotëson kriteret e konsultimit publik pasi në të jepet vetëm ajo çfarë autoriteti i thotë qytetarëve, por jo se çfarë kanë kërkuar qytetarët nga autoriteti.
Procedurat e koncesioneve apo të partneriteteve publike private në Shqipëri janë mbajtur gjithmonë si sekret përgjatë 25 viteve të fundit me një nivel minimal transparence. Që nga viti 1995, kur Shqipëria miratoi një ligj që i lejonte qeverisë të jepte koncesione për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, Shqipëria ka miratuar disa ligje që theksojnë rëndësinë e transparencës në procedura të tilla, por pa sukses. Në disa raste, kontratat e koncesioneve janë klasifikuar sekret shtetëror dhe mbartin klauzola të forta konfidencialiteti, të cilat efektivisht e mbajnë publikun në errësirë sa i përket mënyrës së përdorimit të aseteve publike, si dhe kostos së koncesioneve të ndryshme mbi buxhetin e shtetit apo mbi xhepat e konsumatorëve. Komisioni Europian në raportin e vet të fundit për Shqipërinë nënvijëzon se kuadri ligjor aktual për koncesionet, si dhe praktikat koncesionare janë jo në përputhje me standardet europiane në këtë fushë, ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kërkuar ngritjen e nivelit të transparencës mbi kostot dhe përfitimet e koncesioneve në “standardet ndërkombëtare”.
Dy vendimet e komisionerit Dervishi përbëjnë vendosjen e një standardi të ri në nivelin e trasparencës që i kërkohet institucioneve publike mbi këtë çështje.