Ministria e Mbrojtjes: Çako gënjen për radarët e kontrollit të drogës

Pas publikimit të letrës së Haki Çakos, që ngrinte shqetësimin se radarët që monitorojnë hapësirën detare shqiptare nuk janë funksionalë, Ministria e Mbrojtjes nuk vonoi të reagonte, duke hedhur poshtë këtë pretendim të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Nëpërmjet një njoftimi për mediat, Ministria e Mbrojtjes bën me dije se sistemi i integruar i vëzhgimit të hapësirës detare është tërësisht funksional, që kur është intaluar në vitin 2009.
“Qendra Ndërinstitucionale Operacionale dhe strukturat e tjera të sigurisë kanë përmbushur detyrimet e veta ligjore, në mënyrën më të mirë të mundshme”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Ky reagim erdhi pasi u zbulua një letër që drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako i kishte drejtuar më 31 gusht ish-ministrit teknik të Brendshëm, Dritan Demiraj, duke iu ankuar lidhur me funksionimin e radarëve që monitorojnë hapësirën detare në Shqipëri.
Çako ka bërë me dije se disa prej operacioneve nga ana e policisë për kapjen e gomoneve me drogë, kanë dështuar pasi nuk janë dhënë informacione të sakta për vendndodhjen e gomoneve që trafikojnë drogë.

Si u justifikua Çako për gomonet me drogë drejt Italisë

Më 31 gusht, drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako i ka nisur një letër ish-ministrit të Brendshëm teknik, Dritan Demiraj, ku e njofton se aksionet antidrogë të policisë në det kanë dështuar falë mosfunksionimit të radarëve të vëzhgimit. Çako i sjell si shembull Demirajt dështimin e operacionit të mbrëmjes së 11 gushtit, ku policia nuk mundi të kapë një gomone që ishte nisur dy kilometra nga plazhi i Zvërnecit. Sipas Çakos, qendra kishte dhënë koordinata të pasakta të lëvizjes së gomones me drogë.
Sipas kreut të policisë, radarët janë aq problematikë, sa ka pasur raste kur gomonet e policisë viheshin në ndjekje të njëra-tjetrës. “Mosdhënia e informacionit krijoi konfuzion dhe pati raste kur mjetet që merrnin pjesë në operacion filluan të ndiqnin njëra-tjetrën në hapësirën detare”, shkruhet në letrën që ka publikuar “News24”.

Artikulli paraprakEdhe 30 ditë burg për të dyshuarin për vrasjen e turistes me motor uji
Artikulli tjetërTjetër sukses spektakolar Noriega-Haki Droga në eksportin e kanabisit