Ministria e Mjedisit i hap rrugën ndërtimeve në Zonat e Mbrojtura

Pas ndryshimit kontrovers të ligjit, dhjetë projekt-vendime të shpallura nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit për konsultim i japin dritën jeshile ndërtimeve të gjithfarëllojshme në zonat e mbrojtura nga jugu në veri.

Bredhi i Drenovës është një masiv pyjor prej 1,380 hektarësh i shtrirë në Qarkun e Korçës në kufi me Greqinë. Kjo zonë e shpallur park kombëtar në vitin e largët 1966, është një bio-korridor i rëndësishëm midis dy vendeve për rruazorët e mëdhenj, si ariu, ujku dhe kaprolli.

Por një seri projekt-vendimesh të shpallura për konsultim nga nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në qershor e cenojnë këtë status.

“Sot ende Park Kombëtar, Bredhi i Drenovës tenton të kthehet në Zonë të Peizazhit të Mbrojtur, vendim me të cilin kjo zonë humbet sistemin e nënizolimit dhe kalon nga mbrojta e shkallës së parë, në mbrojtje të shkallës së tretë’, tha Taulant Bino, drejtues i Shoqatës së Ornitologëve Shqiptarë (AOS). “Praktikisht, humbet çdo lloj mbrojtje”, shtoi ai.

Projekt-vendimi për Bredhin e Drenovës nuk është një akt i izoluar, pasi janë të paktën nëntë projekt-vendime të ngjashme të nxjerra për konsultim nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, të cilat sipas organizatave mjedisore, nëse miratohen, rrezikojnë një dëm të pariparueshëm ndaj ekosistemit natyror në Shqipëri.

Sipas ekspertëve të AOS, projekt-vendimet prekin nëntë zona të mbrojtura ekzistuese – Bredhi i Drenovës, Rrushkull, Bunë Velipojë, Pishë-Poro-Nartë, Liqeni i Pogradecit, Kuturman-Qafë Bush, Kratsë, Guri i Nikës Valamarë, Bjeshkët e Oroshit – dhe një zonë të re të mbrojtur, Bisht Kamëz.

“Ka kohë që Bredhi i Drenovës përflitet si zonë për ndërtime të ashtuquajtura rekreative”, i tha BIRN Taulant Bino, drejtues i Shoqatës së Ornitologëve Shqiptarë. “Pengesa e fundit – statusi i zonës së mbrojtur – bie me këtë projekt vendim”, shtoi Bino.

Ndryshimet në Ligjin 81/2017 për Zonat e Mbrojtura të miratuara në shkurt kundrejt kundërshtimeve të Bashkimit Evropian, heqin nga këto zona sistemin e zonimit të brendshëm, i cili më parë ofronte nivele të ndryshme mbrojtjeje sipas ligjit të vjetër dhe rregulloreve të Bashkimit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), dhe u japin atyre vetëm shkallën e tretë të mbrojtjes.

Bino i tha BIRN se miratimi i këtyre dhjetë projekt-vendimeve rrezikon ndër të tjera edhe humbjen e statusit “zonë e mbrojtur” për këto sipërfaqe me vlera natyrore.

Autoriteti kryesor përgjegjës për këto zona është vendosur Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), përgjegjës për sanksionimin e rregulloreve, strukturat e paligjshme, dhe investimet e supozuara strategjike dhe aktivitete të tjera të ndryshme.

Neni 5 i projekt-vendimeve të shpallura për konsultim, i cili rendit veprimet e lejuara në këto zona, përfshin ndër të tjera instalimin e projekteve të energjisë së rinovueshme, ngritjen e qendrave të mbarështimit të peshkut, si edhe aktivitete të tjera si ndërtimi, trajtimi i ujit në ferma, ndërtimi i kanaleve, autostradave, zonave urbane dhe aktiviteteve të ngjashme, me kusht që të kenë leje nga KKT.

“KKT tashmë nuk njeh kufij në gamën e investimeve strategjike që mund të autorizojë në këto zona”, tha Besjana Shehu, bashkëthemeluese e AOS.

“Investimi mund të behët në lagunë, në kanione, apo edhe në zona që më parë kanë qenë ‘zona bërthamë’, duke nënkuptuar zbatimin e nivelit më të lartë të mbrojtjes”, shtoi ajo.

Sipas Taulant Binos projekt-vendimet janë në shërbim të planeve për zhvillim urban.

“Ka kohë që Bredhi i Drenovës përflitet si zonë për ndërtime të ashtuquajtura rekreative,” theksoi ai. “Pengesa e fundit – statusi i zonës së mbrojtur – bie me këtë projekt vendim”, përfundoi Bino./BIRN

Exit mobile version