Ministria tërhiqet nga koncesioni i kolaudimit të mjeteve frigoriferike

Qeveria shqiptare anuloi një vendim të vitit 2012 për kolaudimin e automjeteve frigoriferike e njohur si “Kontrolli i  brendshëm i mjeteve me ushqime delikate gjatë transportit ndërkombëtar” pas një këmbënguljeje të “Qendrës së Eksporteve shqiptare”.
Alban Zusi, president i “Qendrës së Eksporteve shqiptare” përshëndeti këtë vendim të qeverisë duke theksuar se qeveria e dëgjoi dhe zgjidhi këtë shqetësim të bizneseve që prekeshin nga ai udhëzim abuziv.
“Ky standard kolaudimi që u tentua të aplikohej, nuk është i aplikuar në shumicën e vendeve të BE dhe as në SHBA, prandaj ishte absurde implementimi në Shqipëri. Fatura që biznesi duhet të paguante për këtë shërbim të panevojshëm shkonte rreth 5 milionë euro në vit. Kjo do të shkarkohej e gjitha në kurriz të konsumatorit, pasi kjo kosto do të reflektonte në rritjen e çmimeve të prodhimeve ushqimore vendase. Industria ushqimore shqiptare, do të bëhej më pak konkurruese po për të njëjtën vlerë krahasuar me vendet fqinje, të cilat nuk e aplikojnë këtë standard”, u shpreh Zusi.
Gjithçka nisi në muajin gusht 2016 kur inspektorët e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) ndalonin kamionët duke i paralajmëruar se nga 1 shtatori 2016, zbatohet një procedurë e re kontrolli për automjetet me temperaturë të kontrolluar. Kontrolli iu dha në formën e koncesionit një kompanie private me një pikë të vetme kolaudimi për të gjithë Shqipërinë, nga ku kostoja e procedurës ishte 40 000-60 000 lekë.
Kompanitë që operojnë me produktet ushqimore kërkuan ndihmë pranë “Qendrës së Eksporteve shqiptare”.
Ata e quajtën këtë procedurë abuzive dhe aspak të drejtë pasi vetë kanë investuar miliona euro për prodhimin dhe transportin sipas kushteve të duhura të produkteve.
Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës angazhoi zv.ministrin Bahri Shaqiri për ndjekjen e këtij shqetësimi të komunitetit të biznesit. Argumentet e “Qendrës së Eksporteve shqiptare” se ky udhëzim dëmton biznesin u pranuan.

Exit mobile version