Petrit KUÇANA
Nuk ishte aq i papritur ky sulmi i radhës (që nuk duket i fundit) i ministrit të Drejtësisë, Majkëll Gove ndaj Shqipërisë që duket nuk i ka “dëgjuar” (ose nuk ka dashur t’i dëgjojë) prononcimet e kryeministrit shqiptar në të paktën dy media.
Mbetet brenda çdo ngjyrimi stilistik edhe mos-harresa e ministrit Gove që të përmendë personazhe të filmave të Pitkinit, dhe nënvizimi i një fakti të dhimbshëm se, “Nga tërë të burgosurit në burgjet tona që vijnë në vendet e BE, dhjetë për qind janë nga Shqipëria”.
Ky “sulm” ndaj Shqipërisë duket si përmbushje tërësore e shabllonit shqiptar deri-diku të frikshëm se: “S’keni parë gjë akoma”. Nëse gazetari Ian Birrell gjeti gomarshitësin që në dy fjalitë e tij “dëshmoi” fukarallëkun në Shqipëri, prononcimi i biznesmenit për “pamundësinë” e investimit në Shqipëri duket se ka qenë vetëm fillimi i përmbysjes së çdo perceptimi (sadopak) romantik të britanikëve për Shqipërinë, si vendi i “dashuruar” me Pitkinin, ku tifozët pa problem mund të shijojnë birrat edhe në shishe qelqi…
Gjetjet “angleze” të kryeministrit Rama, për turizmin, futbollin apo përfshirja e rajonit, nuk i “bënë derman” ministrit Gove që “mprehu edhe njëherë shpatën…
Nuk ka asnjë dyshim se hyrja e debatit në korridoret serioze, tashmë të thëna qartësisht nga ministri i Drejtësisë, ka thyer çdo iluzion sado “shqiptaro-dashës” të ndonjë britaniku dhe nuk lë asnjë hapësirë për të gjetur ndonjë dritëhije humori anglez. Nuk besohet që ka britanik që nuk shqetësohet, kur ministri i tyre i Drejtësisë, (pra jo një gazetar apo opinionist etj., etj) i mëshon rëndshëm faktit se, “një e dhjeta e të dënuarve në burgjet britanike janë shqiptarë”.
Natyrshëm më shumë se të gjithë, janë shqiptarët e Britanisë që e “mbajnë” këtë barrë, që ka ndikim të padiskutueshëm në çdo minutë të përditshmërisë së tyre. Që në momentet e para kur u shfaqën “Billbordat në makinat lëvizëse me flamurin shqiptar në majë të Backingham Palace” filluan reagimet ashtu spontane që nuk i kaluan caqet e ndonjë emaili shqetësues dërguar gazetës apo deputetëve të zonave të tyre. Duhet theksuar se, komuniteti shqiptar i Britanisë është ndër më të rinjtë dhe përgjithësisht të integruar (duke përjashtur të rinjtë e ardhur rishtaz që fatkeqësisht në një pjesë të madhe të tyre, janë bërë pjesë apo pre e krimit. Mbase duhet një studim tepër serioz dhe i gjithanshëm për këtë kategori që ndryshon tërësisht nga të ardhurit më të hershëm). Fatkeqësisht këtu në Londër nuk ka një “Lob” dhe gjithsecili nga ne e mban barrën e fajit. Shoqata më e vjetër e themeluar nga Edit Durham dhe Aubrey Herbert mbetet e kufizuar në aktivitetin e saj kryesisht artistiko-kulturor dhe një grusht deputetësh (All-Party Parliamentary Group for Albania) që së paku deri tani nuk kanë prodhuar ndonjë lajm sidomos për këtë situatë…
Por a mund t’i kërkohet një britaniku që të na “ndihmojë”, kur kemi dështuar të ndihmojmë veten tonë?
Thua do të shkruajë ndonjë rrjesht Ambasadori? Të konsultohet me përfaqësuesin e seksionit shqiptar, në Ministrinë e Punëve të Jashtme Britanike?
“The Ambassador is missing”
Edhe sot e kësaj dite, askush nuk flet se pse dreqin në Britaninë e Madhe, që nga tetori i vitit të kaluar nuk jemi të përfaqësuar me ambasador. Kaq e parëndësishme duket Londra? Thua qeveritarët u “mjaftuakërkan” me këshillimet e zotit Blair, falas ose jo… Të paktën formalisht një ambasador, (nuk do të prishte shumë punë po të ishte), qoftë edhe nga ata që i sjellin si shpërblim për punën…qoftë edhe ata që duan të shkollojnë fëmijët, apo për t’i shpëtuar shndërrimit të “Ambasadë-konvikte-ve”. Vërtet pse nuk kemi ambasador? A duhet t’i besojmë “gojëve të liga” se nuk kanë rënë dakord nga forcat politike udhëheqëse të Tiranës për “të zgjedhurin” ambasador në Londër, për shkak të shumë interesave (më e pakta që mund të thuhet) që paskërkan në Londër? Një precedent i tillë nuk ndodh as në vendet e botës së tretë…
Po sa është punuar për lobing-un? Nga një përllogaritje e thjeshtë kryeministri Rama ka qenë mbi dhjetë herë në Londër si kryeministër. (Pa përfshirë ministrat e tij, që ka raste që vijnë edhe për punë, se shopingjet e Londrës janë të famshme, se patjetër duhen vizituar edhe fëmijët e tyre që studiojnë në Universitetet më të mira britanike). Pra mbi dhjetë herë kryeministri ka ardhur në Londër dhe asnjëherë të vetme nuk ka takuar as shqiptarët e këtushëm, ose ata që presupozohen si përfaqësues, që nga pedagogët shqiptarë të universiteteve britanike apo profesionistët e tjerë që shkëlqejnë në fusha të ndryshme në Britani. I mblodhi ndonjë herë ata deputetët shqiptaro-dashës që të pinte qoftë edhe një çaj anglez me ta? I takoi avokatët më të shkëlqyer të çështjes shqiptare, që luajtën një rol historik para, gjatë, apo pas luftës së Kosovës, thjesht sa për t’u thënë faleminderit, apo të shkëmbente ndonjë batutë me ta? Se për lobe të biznesit etj., etj., duket nuk “është këshilluar” kaq gjatë.
Shkëlqimi i diplomacisë ka qenë “mosnjohja e disa ish-ambasadorëve duke përfshirë edhe atë të Londrës, që e lanë edhe pa shofer… që shënoi rastin e paprecedent në historinë e diplomacisë shqiptarë që nga themelimi i shtetit shqiptar më 1912.
Është më shumë se e frikshme, kur mendon se shteti shqiptar nuk jep fonde për ta festuar ditën kombëtare të Shqipërisë që festohet më 28 Nëntor, ku zakonisht ftohen të gjithë dhe siç ndodhi herën e fundit u organizua me sponsorizimin e disa biznesmenëve të këtushëm shqiptarë. Është tejet e neveritshme kur mendon se, një organizim i tillë kushton më pak se bileta dhe qëndrimi i një “shoqëruesi/je të Kryeministrit gjatë një vizite rutinë në Londër. E mbase do të jetë një leksion për diplomacinë shqiptare se lobingjet, (jo domosdoshmërisht kompani lobingu…falas ose jo) mbeten alfa e çdo diplomacie dhe se të paktën me Londrën nuk mund të bëhet shaka.