Ministrja e Brendshme britanike, Theresa May mbajti një fjalim këtë të hënë, duke vënë në dyshim nëse vendi i saj duhet të lejojë që Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia t’i bashkohen BE-së. May ka mbështetur idenë se, “këto janë vende me varfëri të madhe dhe probleme serioze me krimin e organizuar, korrupsionin dhe për më shumë edhe me terrorizmin”.
“Duhet të pyesim nëse është vërtet e drejtë që BE duhet thjesht të vazhdojë të zgjerohet duke u dhënë anëtarëve të rinj të njëjtat të drejta me themeluesit e unionit?” Një tjetër konservator i pranishëm dhe mbështetës i largimit nga BE, lider i fushatës që vendi të dalë nga BE, Iain Duncan Smith tha se ishte dakord me sekretaren e Punëve të Brendshme.
“Sekretarja për Punët e Brendshme ka të drejtë që shqetësohet nga vende të rrezikshme si Shqipëria apo Turqia që mund të lejohen të hyjnë në BE. Nëse këto vende lejohen të bëhen pjesë e BE-së, ato do të jenë një rëndesë më shumë për sistemin tonë të mbrojtjes për shkollat dhe shtëpitë tona. Është vetëm një rritje e rrezikut të shtimit të kriminalitetit dhe terrorizmit në rrugët tona”, tha ai.
“Pas kësaj deklarate të sekretares, May a nuk duhet të dalë Kryeministri dhe të shpjegojë nëse është dakord me qëndrimet e ministres së tij të Brendshme”?, shtoi Smith. Duket se deklarata e ministres së Brendshme ka shkaktuar polemika të shumta ndaj ajo ka bërë një sqarim duke saktësuar se, “Britania duhet të largohet nga Konventa për të Drejtat e Njeriut dhe jo nga Bashkimi Europian”. Ata që bëjnë fushatë që Britania të lërë BE-në i janë drejtuar dje Kryeministrit Cameron me disa pyetje.
A e pranon Kryeministri sot që të vendosë një veto për anëtarësimin në BE të Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Turqisë në këto rrethana?
A e pranon Kryeministri komentin e sekretares së Punëve të Brendshme se është një ide e keqe të mirëpresësh këto vende që kanë probleme serioze me krimin e organizuar, korrupsionin dhe ndonjëherë edhe me terrorizmin?