Ministrja e Kulturës, fushatë për PS me fondet e Ministrisë

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro përdor paratë e dikasterit që drejton për fushatë elektrorale në kundërshtim të plotë me ligjin. Denoncimi është bërë nga kandidati i PD për deputet në Gjirokastër, Tritan Shehu, i cili në një postim në Facebook shkruan se, në kulmin e fushatës elektorale, datë 9-11 qershor, në zonën e saj elektorale, Libohovë, sipas një ftese pa firmë e pa vulë, Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Bashkinë (e drejtuar nga PS-ja), organizojnë një “Festival Tradicional”. Sipas tij, ministrja Kumbaro ka njoftuar ambasadorët për të marrë pjesë në këtë aktivitet që do të zhvillojë Ministria e Kulturës në Libohovë ndonëse ligji i ndalon aktivitetet në fushatën zgjedhore. Por për të qenë në rregull me ligjin, Kumbaro ka nxjerrë në skenë shoqatën “Open Day for Albanian Youth”. Fillimisht ftesa janë bërë nga Ministria e Kulturës, ndërsa më pas janë bërë nga kjo shoqatë pas së cilës qëndron vetë ministrja Kumbaro.
Deputeti Tritan Shehu u ka bërë thirrje dje ambasadorëve të akredituar në vendin tonë që të mos bëhen pjesë e fushatës elektorale të kandidates së PS, Mirela Kumbaro, aktualisht ministre e Kulturës.
Shehu, i referohet ftesës për aktivitetin e ditës së premte të Ministrise së Kulturës në Libohovë, por që sipas tij është qartësisht aktiviteti i fushatës së ministres Kumbaro me lekët e Ministrisë. “Të nderuar ambasadorë, do t’iu lutesha që edhe pa dashje të mos bëheni pjesë e fushatës elektorale në Gjirokastër. Dikush ka ndërruar tekstin e ftesës për aktivitetin e nesërm që Ministria e Kulturës po përpiqet të organizojë në Libohovë, qartësisht si pjesë e fushatës elektorale të Zj. Kumbaro. Ky aktivitet është në kundërshtim me etikën elektorale dhe ligjin. Ai dikushi po përpiqet të përdorë emrat tuaj të nderuar. Po ju postoj më poshtë dy ftesat e përgatitura për këtë event “elektoral”. I kërkoj gjithashtu dhe “fondacionit” në fjalë të mos bëhet pjesë e kësaj “loje”, shkruan Shehu.

“Rilindja” dështoi me ekonominë

Kandidatët për deputetë të PD Tritan Shehu, Kosta Barka e Qamil Xhelili, kanë organizuar një takim madhështor me banorët e qytetit të Memaliajt. Shehu, ka vlerësuar prezencën e qytetarëve në këtë takim masiv çka është një obligim për vëmendjen që duhet t’i kushtohet qytetarëve të kësaj zone.
Në fjalën e tij, Shehu u ndal tek problemet ekonomike të qytetarëve shqiptarë, pjesë e të cilëve janë edhe qytetarët e Memaliajt. “Rilindja dështoi me ekonominë, pasi rritja e taksave uli investimet në vend çka reflektoi në papunësi dhe varfëri, është shprehur Shehu. Programi i PD për Memaliajn, përfshin rritje të investimeve me një taksë 9%, rritje pagash dhe pensionesh si dhe garantimin e statusit të minatorit. Për ne nuk ka kuptim, ajo që kryeministri Rama propagandon se ekonomia rritet, por qytetarët nuk e ndjejnë. Për ne të parët jeni ju, i pari është qytetari”, është shprehur Shehu.
Ndërsa kandidati Kosta Barka, u ka kërkuar votën qytetarëve të Memaliajt, duke kujtuar vitet kur ka punuar si inxhinier në minierën e qymyrgurit. “Kam besim se ju do të na jepni ne votën për t’ju përfaqësuar, pasi do të qëndrojmë pranë jush”, u shpreh Barka.

Ushqimet me listë në Memaliaj

Varfëria ekstreme që ka pllakosur qytetin e Memaliajt, është shfaqur tek shitoret, të cilat japin ushqime me listë. Tregtarët e vegjël, janë ankuar tek kandidati për deputet i PD, Roland Bejko, për gjendjen e mjerë që mbretëron në Memaliaj, ku popullsia e aftë për punë, qëndron rrugëve të qytetit në pritje për t’u larguar. Në të gjitha dyqanet ushqimore në këtë qytet, produktet e shportës, jepen me listë tek familjet që janë të papuna dhe tek ato që nuk kanë as minimumin jetik.
Bejko në kontakt me tregtarët, është njohur me këtë realitet katastrofal në Memaliaj ku qeveria, e ka lënë pas dore këtë qytet dhe në mjerim të plotë. Kandidati Roland Bejko u shpreh se, njerëzit kërkojnë të ushqehen dhe jo të gënjehen me investime fasadë. “Ekonomia familjare është baza për një jetë normale ndaj dhe në programin ekonomik të PD, parashihen ndryshime të dukshme, të cilat kanë në thelb, përmirësimin e gjendjes sociale”, është shprehur Bejko. Ai ka premtuar ulje të taksës në 9% dhe të tvsh në 15% si pjesë e programit të PD për përmirësimin e ekonomisë së shqiptarëve.

Artikulli paraprakBashkia Divjakë u mbledh kartat qytetarëve për votat
Artikulli tjetërArsimi publik do të financohet nga buxheti, tarifat do të ulen ndjeshëm