Ministrja e liderit global: E pranojmë Britaninë në NATO edhe pse doli nga BE

Gafat e ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli, nuk kanë të sosur. Sa herë flet për çështje ndërkombëtare ato nuk mungojnë, në kontrast me zhdërvjelltësinë që ajo ka kur ngarkohet me leximin e deklaratave politike, me shpërndarje dekoratash apo fushata elektorale, si ajo e fundit në Lezhë, ku u zgjodh deputete.
Në tetor 2014, në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ministrja Kodheli tha se po bashkëpunonte me qeverinë kurde në një kohë që dihet botërisht se kurdët nuk kanë as shtet e as qeveri.
Por më i rëndë është komenti i ministres shqiptare të Mbrojtjes për daljen e Britanisë së Madhe nga BE. Në një bashkëbisedim me disa gazetarë, përpara Samitit të NATO-s që do të mbahet në Varshavë, Kodheli u shpreh se pavarësisht se Britania doli nga BE, “ne si NATO e pranojmë në gjirin tonë”, madje duke theksuar se ky ishte një detaj tepër i rëndësishëm, siç mund ta shihni në zbardhjen e fjalës së ministres që i është bërë nga stafi i Ministrisë së Mbrojtjes.
Ministrja duket se nuk e di që Britania e Madhe ishte bashkëthemeluese e NATO–s. Britania e Madhe është anëtare e saj prej 4 prillit të vitit 1949 dhe fuqia e dytë ushtrake e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Britania e Madhe është po ashtu një prej kontribuesve kryesorë të NATO–s dhe një anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB. Britania e Madhe nuk e ka ndryshuar asnjëherë rolin dhe qëndrimin e saj ndaj NATO–s dhe referendumi i fundit të qershorit ishte për të qëndruar ose jo në BE, pa patur kurrfarë ndikimi në lidhje me raportin e saj me NATO–n. Britania e Madhe ishte ashtu një ndër vendet kryesore të NATO–s që mbështeti pranimin e Shqipërisë në vitin 2009, pavarësisht se ministrja Kodheli flet sikur Shqipëria të ketë ndonjë rol udhëheqës në Aleancë.

Exit mobile version