Ministrja e Mirëqenies Sociale kërkon largimin e drejtorit të Punësimit

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë kërkon largimin nga puna të drejtorit të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Artur Mickaj. Në një njoftim për mediat, ministria thotë se ka nisur procedurat për largimin nga shërbimi civil të drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Kombëtar të Punësimit. Sipas ministrisë, Mickaj nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin e aktivizimit të vartësve të tij në fushatën zgjedhore të një subjekti politik në kundërshtim me ligjet në fuqi. “Ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, znj. Xhulieta Kërtusha, i ka kërkuar sot Departamentit të Administratës Publike nisjen, në mënyrë të menjëhershme, të procedurave për largimin nga shërbimi civil të z. Artur Mickaj, me funksion drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Kombëtar të Punësimit, institucion në varësi të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për shkak të shkeljeve shumë të rënda të kryera me dashje siç është parashikuar nga neni 57, pika 2 i Ligjit nr. 152/2013 ‘Për nëpunësin civil’. Z. Artur Mickaj, në kundërshtim të plotë me VKM nr. 473, datë 01.06.2017, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin e aktivizimit të vartësve të tij në fushatën zgjedhore të një subjekti politik në kundërshtim me ligjet në fuqi, duke kryer një shkelje shumë të rëndë”, thuhet në njoftimin për mediat. Megjithëse nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë i është propozuar marrja e masës “Largim nga Puna” ndaj znj. Marisa Kaçori, drejtore e Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Tiranë, për shkak se për këtë të fundit ka patur prova që vërtetonin pjesëmarrjen në fushatë zgjedhore brenda orarit të punës, z. Mickaj nuk ka ndërmarrë asnjë veprim, duke refuzuar të zbatojë propozimin e ministres së MMSR-së. “Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë shpreh vendosmërinë që të ndjekë me prioritet të gjitha detyrimet që ka në kuadër të parandalimit të pjesëmarrjes së administratës në fushatën zgjedhore. Nisur nga kjo, MMSR i kujton të gjithë titullarëve të institucioneve në varësi rëndësinë e zbatimit të kuadrit ligjor për të mos lejuar punonjësit e administratës publike që të bëhen pjesë e fushatës zgjedhore, brenda orarit zyrtar të punës”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Artikulli paraprakMandija: Kushdo që do cenojë zgjedhjet përballet me ligjin
Artikulli tjetërVëzhguesit vendorë: Monitorim të rreptë procesit zgjedhor