Ministrja e Ramës refuzon ti përgjigjet Zërit të Amerikës për ligjin e prishjes së Teatrit

Artistët përfaqësues të “Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar” i kërkuan sot parlamentit të mos pranojë projekt-ligjin, që parashikon shembjen e ndërtesave ekzistuese të Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental.
Përfaqësuesit e kësaj aleance lexuan sot një letër të hapur drejtuar presidentit të Republikës, kryetarit të Kuvendit dhe drejtuesve të grupeve parlamentare, para deputetëve të opozitës në komisionin e edukimit, ku nuk ishin të pranishëm deputetët e shumicës.
Artistët kërkuan që Kuvendi të mos pranojë ligjin dhe që ministria e kulturës dhe institucionet e tjera përgjegjëse të punojnë për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme në interes të gjithë grupeve dhe të interesit publik në tërësi.
Artistët paralajmëruan që nëse deri ditën e premte nuk do të ketë një reagim mbi këto kërkesa atëherë trupa teatrore, artistët, veprimtarët, dhe qytetarë të tjerë legjitimohen të mbajnë Teatrin Kombëtar dhe Teatrin Eksperimental si të vetmen formë, që zëri i tyre të dëgjohet.
“Heshtja e zyrtarëve socialistë dhe mosdëgjimi i argumentave tona na bëjnë të dyshojmë se këtu është fjala për një aferë të qartë korruptive, që synon t’i rrëmbejë Teatrit Kombëtar tokën e vet për qëllime biznesi” – tha para deputetëve të opozitës artisti i njohur Robert Ndrenika.
Deputetët e opozitës u shprehën përkrah artistëve. Ata deklaruan se projekt-ligji i publikuar është i dyshimtë dhe i paprecedent,
sepse shkel ligje të mëparshme mbi rregullat e ndërtimit, me qëllimin e vetëm që të rrëzohen ndërtesat e dy teatrove për t’u hapur

rrugën ndërtimeve private në zonën kulturore më të njohur të kryeqytetit.
Kryetari i deputetëve socialistë tha se mbledhja e artistëve me deputetët e opozitës nuk u bë sipas rregullores së parlamentit dhe se deputetët socialistë nuk bojkotojnë asnjë mbledhje të rregullt.
Autoritetet publikuan disa ditë më parë projekt-ligjin mbi përcaktimin e një procedure të veçantë negocimi me shoqërinë private “Fusha shpk”, mbi projektin urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar.
Qeveria përcakton me këtë projekt-ligj se komisioni do të negociojë vetëm me firmën “Fusha” për zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtardhe ngritjen e godinës së re të Teatrit. Për këtë qëllim vihen në dispozicion të negociatave pasuritë e paluajtshme në pronësi të shtetit.
Fakti që qeveria përcakton me projekt-ligj për të negociuar me vetëm një firmë ndërtimi ka ngjallur dyshimet e artistëve, të cilët thonë se bëhet fjalë për një rast të pashembullt korrupsioni, që shkatërron Teatrin Kombëtar dhe merr tokën e tij për interesa private.
Zëri i Amerikës kërkoi një interpretim nga ministria e kulturës për të pasqyruar pikëpamjet e autoriteteve mbi projekt-ligjin dhe reagimet e artistëve në mbrojtje të Teatrit Kombëtar ekzistues. Ministria u shpreh e gatshme për një përgjigje të shpejtë, por ajo nuk erdhi deri para nisjes së programit DITARI.

Exit mobile version