Ministrja që ha zonat e mbrojtura/ Si e vendosi Kumbaro Gjirin e Llamanit nën kthetrat e betonit

Në vitin 2015, tre ekspertë të Institutit për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri, hartuan Planin e Menaxhimit për Parkun Natyror Gjiri i Porto Palermos-Llamani.

Në dokumentin e gjatë, Zamir Dedej, Genti Kromidha dhe Nihat Dragoti përcaktuan kufijtë e asaj që sipas tyre duhet të ishte zona e mbrojtur e këtij Parku. Kjo në foto është harta me kufijtë e Zonës së Mbrojtur.

kufijte 2015

Kufijte e zones se mbrojtur 2015

“Pikat më të spikatura për Zonën e Mbrojtur që kërkojne vëmendje të veçantë dhe paprekëshmëri janë: Kepi i Alpunit, plazhi i Llamanit, Kepi i Kavadarit, Gjiri i Armeridhës, tuneli i ushtrisë, shpella, Gadishulli dhe Kalaja e Aliut, amforat, formacioni me Euphorbia, Kisha e Shën Nikollës, Gjiri i Shën Nikollës, Kepi i Panormisë, Gjiri i Gravës dhe Kepi i Spinarasit, etj,” thuhet në Planin e Menaxhimit.

Plani i Menaxhimit ishte kontraktuar nga vetë ministria e Turizmit dhe Mjedisit. Pas përfundimit të tij, ministria e Mjedisit përgatiti projektvendimin “Për shpalljen e Ekosistemit Natyror Detar-Bregdetar të Gjirit të Porto Palermos-Llamani “Park Natyror”. Por edhe pse u hodh zyrtarisht për konsultim publik, projektvendimi nuk e pa kurrë dritën e miratimit në Këshillin e Ministrave.

Për shumë vite me radhë Plani i Menaxhimit të për Parkun Gjiri i Porto Romanos-Llamani u mbajt në sirtarët e ministrisë së Mjedisit. Deri në vitin 2022.

Në qershor të vitit 2022, ministria e Mjedisit i dërgoi Bashkisë së Himarës nismën për shpalljen e zonës së mbrojtur Gjiri i Porto Palermos-Llamani me statusin e Parkut Natyror duke i kërkuar bashkisë që të realizonte dëgjesat me komunitetin.

Nisma e ministrisë së Mjedisit u shndërra në vendim qeverie vetëm një muaj më pas. Në mbledhjen e datës 29 korrik 2022 përmes vendimit numër 557, qeveria miratoi shpalljen e ekosistemit natyror bregdetar të Gjirit të Porto-Palermos “Park Natyror”. Por kufijtë e zonës nuk ishin ata të përcaktuar në Planin e Menaxhimit të vitit 2015.

kufijte 2022 ok

Kufijte e zones se mbrojtur 2022

Kjo është harta e zonës së mbrojtur që miratoi qeveria. Sic duket qartë kufiri verior i saj ishte spostuar më në Jug, aq sa për të lënë jashtë Gjirin e Llamanit, për të cilët ekspertët në planin e menaxhimit theksonin se duhet të kishte paprekshmëri.

Kufijtë e zonës së mbrojtur nuk u ndryshuan rastësisht. Vendimarrja e Kumbaros nuk po diktohej nga interesi publik, por nga interesat e ngushta ekonomike. Dhe krismat e aferës u ndjenë tre vjet më vonë.

Një muaj më parë, Këshilli Kombëtar i territorit dhe Ujit miratoi lejen e ndërtimit për një hotel me 63 dhoma mbi plazhin e Llamanit. Hoteli i projektuar nga studioja portugeze Ooda do të ndërtohet nga kompania Bega-07.

llamani 1

Kompania pretendon se ajo e ka blerë tokën nga privatët dhe nuk e ka përfituar atë nga shteti. Por origjina e pronësisë së tokave bregdetare në Jug është e dyshimtë për shkak të manipulimeve dhe falsifikimeve që kanë ndodhur në vite. Aq më tepër për zonat e rerës.

Megjithatë, çështja e pronësisë është një temë më e gjerë. Ajo që ka ndodhur me Llamanin është se Kumbaro e dorëzoi atë tek interesat ekonomikë, ndërsa ekspertët që duhet ta mbronin nuk u ndjenë më se rrugës u mpleksën me qeverinë. Kush me poste dhe kush me projekte./kapitali.al

Artikulli paraprakElseid Hysaj thyen parashikimet, gati për Silvinjon! Ja kur mund të rikthehet nga dëmtimi mbrojtësi kuqezi
Artikulli tjetërErgys Mërtiri: Dehumanizimi që sjell Big Brother