Ministrja Vukaj kontroll në dogana: “Respektoni Kodin Zgjedhor”!

Ministria e Financave, Helga Vukaj ka vijuar inspektimet e saj në zyrat doganore të vendit për të verifikuar respektimin e Kodit Zgjedhor nga administrata publike. Vukaj u ka kërkuar drejtuesve të doganave që të mos përfshihen në fushatën zgjedhore dhe të mos ushtrojnë presion tek biznesi për vota. Ministria nuk ka përmendur raste të shkeljeve, por u bën thirrje qytetarëve që të denoncojnë rastet. “Ministria e Financave inkurajon punonjësit e administratës fiskale që të kryejnë me përgjegjshmëri detyrat në përputhje me legjislacionin në fuqi. Po ashtu, Ministria e Financave u bën thirrje qytetarëve që të denoncojnë rastet e evidentuara nga ana e tyre të përfshirjes së punonjësve të administratës në varësi të kësaj ministrie në aktivitetet partiake apo në veprime të tjera me karakter korruptiv. Ata janë të lutur që të na shkruajnë ose të na dërgojnë foto apo filmime në numrin 0676054545 (Whatsapp, Viber)”, thuhet në njoftim.
Ministrja e Vukaj zhvilloi para pak ditësh një takim të zgjeruar me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, Bashkimin e Prodhuesve Shqiptarë si dhe me përfaqësues të shoqatave të tjera të biznesit në vend. Ministrja Vukaj falënderoi përfaqësuesit e biznesit për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në zhvillimin ekonomik të vendit. Ajo theksoi se punonjësit e administratës shtetërore janë shërbëtorët tuaj e të ligjit, për të ndihmuar dhe lehtësuar veprimtarinë tuaj.
“Çdo punonjës i administratës fiskale, duke filluar nga ministri e deri te inspektori më i thjeshtë i doganës apo tatimeve, që e konsideron veten NDRYSHE në raport me ju, nuk është gjë tjetër veçse një abuzues i momentit në detyrë dhe do të jetë pa perspektivë në të ardhmen europiane të institucionit ku punon”. Vukaj theksoi se, shërbimi me korrektësi dhe përulësi ndaj jush, si motori i zhvillimit të vendit, është dhe do të jetë edhe në vijim obligimi ynë kryesor. Ajo kërkoi nga përfaqësuesit e biznesit që të denoncojnë çdo rast presioni abuziv nga administrate fiskale, për kontroll apo gjobëvënie. “Presioni ndaj jush për çfarë do lloj arsye, elektorale apo korruptive, është kriminal”, theksoi zonja Vukaj.
Po kështu zonja Vukaj u kërkoi atyre që të denoncojnë edhe rastet, kur ndaj punonjësve të tyre ushtrohet presion për arsye politike dhe elektorale. Më tej, takimi vijoi me diskutimin e disa prej problemeve më të rëndësishme me të cilat përballet sot komuniteti i biznesit në Shqipëri.

Artikulli paraprakSkandal në Portin e Durrësit, një i shumëkërkuar i arratiset policisë
Artikulli tjetërCeremonia e turpit, fushatë me paratë e taksapaguesve