Minjtë që rilindën pas tërmetit

Nga Red VARAKU

Rikthimi në ekrane menjëherë pas tërmetit, i shumë figurave të diskretituara politike, është një fenomen lehtësisht i konstatueshëm. Është i ngjashëm me daljen e minjve nga skutat dhe kanale e zeza si paralajmërim për ndonjë tërmet.

Dalja e tyre në sipërfaqje këto ditë është një ogur i zi për shoqërinë tonë, sepse ashtu si dhe minjtë, ata po paralajmërojnë një katastrofë të një lloji tjetër, riciklimin e tyre në politikë, me shpresën se ky tërmet nuk rrënoi vetëm ndërtesat, por rrënoi edhe kujtesën e këtij populli.

Ajo që bie lehtësisht në sy është ngazëllimi në turirin e këtyre krijesave, të cilët kanë filluar festën dhe po ngrenë dollinë e fitores me gjakun e këtyre viktimave, sepse për ta 51 viktimat e këtij tërmeti, janë si 51 kurbanë për pushtetin e tyre.

Nuk ka se si të mos e vëresh sforcimin e tyre llustrafin për tu identifikuar me viktimat e kësaj fatkeqësie. Atyre nuk i shpëton asnjë moment, pa u ngashëryer duke dalë në foto me fakirët e kësaj fatkeqësie. Janë aktorë të paparë.

E vërteta është se ata mendojnë se ky tërmet i shpëtoi nga cepi i ringut ku i kishin futur skandalet dhe ofensiva e Opozitës .Ata po e shohin këtë fatkeqësi të qytetarëve shqiptarë, jo vetëm si një mundësi për rindërtuar imazhin e tyre tashmë të rrënuar, por edhe si një minierë përfitimesh të jashtëzakonshme.

Sepse, për shkak të sensibilitetit të kësaj situate, ata kanë luksin të bëjnë ç’të duan pa i kërkuar llogari askush.
Ata tani kanë luksin që të marrin borxh, të shembin dhe rindërtojnë kudo. Pra, të vjedhin sërish.

Ndaj të egzaltuar flasin pa ndërprerë vetëm për të ardhmen, me shpresë se do t’i harrohet e shkuara e zezë. Duke shfrytëzuar hallet dhe lotët e njerëzve fatkeqë, duke u shfaqur pranë tyre djallëzisht si bamirës, ata mendojnë se ia kanë dalë të shpëlajnë gjakun e shqiptarëve nga dhëmbët dhe thonjtë e pisët të tyre.

Ndërkohë, askush nuk flet për përgjegjësi. Në vend që të kishte një reflektim për këto përgjegjësi, janë pikërisht shkaktarët e kësaj katrahure që janë vendosur në krye të komitetit të rindërtimit’, nominalisht Edi Rama (përgjegjësi kryesor i katrahurës kriminale të ndërtimit në Tiranë) dhe Vangjush Dako ( përgjegjësi kryesor i katrahurës kriminale të ndërtimit në Durrës ).

Kjo përpjekje për të fshehur dështimin nëpërmjet një fushate spektakolare rindërtimi ka nisur plot bujë, batuta dhe fishekzjarre.

Ajo nuk tregon vetëm mizorinë e këtyre hienave , që kërkojnë që me gjakun e viktimave, të shpëlajnë fytyrën e tyre kriminale, por ajo tregon gjithashtu edhe naivitet, sepse i konsideron njerëzit si kavie pa kujtesë.

Ata e dinë këtë popull aq naiv ,sa mendojnë se mund t’ua fshijnë nga kujtesa faktin që ishin pikërisht këta, shkaktarët që kanë larguar nga Shqipëria rreth 400 000 mijë shqiptarë, pothuajse një popullsi në numër e barabartë me popullsinë e Durrësit, Shijakut dhe Thumanës të marra së bashku.

Ata mendojnë se ky popull ka harruar që ishin pikërisht këta, që instaluan grupe gati paramilitare në çdo lagje dhe qytet, si dhe kanabizuan të gjithë vendin, duke e kthyer atë në Kolumbinë e Europës.

Ata mendojnë se njerëzit kanë harruar që ishin pikërisht këta, që parakalonin në përgjimet zyrtare të BILD, në një banalitet dhe fjalor të padëgjuar më parë. Përgjime që zbuluan të vërteta të rënda për barbarinë se si po na rrjepin dhe sundojnë rilindasit e rinj.

Ata mendojnë se njerëzit nuk e dinë që pas nënqeshjes së tyre të shtirur, qëndrojnë bandat më të rrezikshme dhe më të babëzitura në vend, të cilët bëjnë çfarë t’i teket me pasuritë dhe fëmijët e tyre, që e kanë kthyer Shqipërinë në lavazh gjigand parash , në parajsën e krimit europian.

Ata mendojnë se njerëzit ia kanë falur faktin që ishin pikërisht këta që rikthyen votimet moniste, që ishin gati ta çonin vendin drejt një përplasjeje civile në 30 qershor vetëm për pushtetin e tyre.

Ata mendojnë se pas kësaj katastrofe njerëzit janë aq të tronditur, sa kanë harruar që pikërisht për shkak të tyre Europa na ka izoluar duke na bllokuar integrimin dhe na ka vënë nëntë kushte si nëntë pranga në fyt. Janë aq të ngazëllyer sa mendojnë që ky komb e ka harruar përpjekjen e pabesë për të shitur Veriun e Kosovës , në emër të zgjatjes së pushtetit.

Ndaj u hodhën menjëherë në sulm si hiena mbi të vdekurit dhe viktimat e tërmetit. Sepse, ata e dinë që ky është shansi i tyre i fundit. Por, pavarësisht se ç’thonë publikisht, ata thellë-thellë e kanë të qartë që shtatë vitet e qeverisjes së tyre kanë qenë si shtatë thika mbi trupin e këtij populli. Ata e dinë që kjo është një e vërtetë që ata nuk e zhbëjnë dot, sepse të vërtetat e kësaj babëzie janë të vulosura në turinjtë e tyre dhe nuk mbulohen dot me asnjë lloj propagande.

Ja pse bredhin rrugëve me tre-katër kamaramanë dhe përbetohen me lot në sy se i duan shumë fatkeqët e kësaj tragjedie me shpresë se njerëzit i kanë harruar bëmat e tyre. Dhe në fakt nuk po gënjejnë. Ata vërtet i duan shumë, i përqafojnë, i puthin, jo se ata i dhimbsen, jo , jo! Por, për shkak se tek këto fytyra të përvuajtura, ata shikojnë fytyrat perfekte tek të cilat mund të fshehin krimet dhe babëzinë e tyre. Tek këta fatkeqë ata shikojnë mundësinë për të rilindur sërish.

Artikulli paraprakBasha në Shkozet: Nuk mundet që 150 milion dollarë të taksave të shkojnë për 10 oligarkë, ndërsa qytetarët të lihen në mëshirë të fatit
Artikulli tjetërIntervistë me Vladimir Nabokov