Personi që ka dashurinë e më të afërmve, është më rezistent ndaj sëmundjeve, më shpejt shërohet si dhe jeton më gjatë e më mirë, shpjegojnë shkencëtarët. Të shkosh me shoqet në kinema, të bësh shoping me to tërë ditën, t’i telefononi njëra-tjetrës … Nuk është mahi! Këtë e kanë vërtetuar dhjetëra shkencëtarë.
Të kesh shumë shoqe, është strategjia më e mirë për kapërcimin e çdo vështirësie, sëmuremi më pak, jetojmë më gjatë dhe më mirë reagojmë ndaj ilaçeve. Secila prej nesh ka ndonjë situatë në jetë, e cila e forcon këtë lidhje dhe kurrsesi nuk dëshirojmë të mbetemi pa shoqen, tek e cila kemi besim, por që është shoqe e njëmendtë, pa hile! Hulumtimi i fundit për këtë temë është botuar në magazinën Psychosomatic.
Për 6 vjet janë studiuar 900 gra, të cilat kanë arritur në spital për shkaqe të pengesave në zemër dhe dyshimit për sulm në kokë. Këto gra, veç të tjerash, janë hulumtuar edhe për marrëdhëniet sociale.
Është vërtetuar se gratë të cilat jetojnë të izoluara dhe me më pak shoqe, kanë më shumë gjasa të përjetojnë atak në zemër, – thotë Francesko Bottaccioli, docent i psikoimunologjisë në Bolonjë.
A thua vërtet është e mundshme që dashuria e familjes dhe e shoqeve ta përforcojë sistemin imunologjik? – pyet Bert Uchino nga zyra e Psikologjisë në Universitetin e Utahut në SHBA dhe shpjegon: Personat të cilët kanë marrëdhënie më të mira me të afërmit, kanë më shumë miq-shokë, ata më shumë kujdesen për vetveten dhe kanë më shumë dëshirë për jetën.
Kanë edhe imunitet më të mirë si dhe mundësi më të vogël të sulmit në tru.
Mirëpo, deri më sot nuk është ditur pse është kjo kështu, përderisa nuk janë zbuluar qelizat ‘ speciale nervore, të ashtuquajtura neurone.
Dhe, çfarë kanë shoqet e mira me shëndetin tonë? Që të mund ta kuptojmë këtë, profesionistët e kanë studiuar autizmin, i cili mund të jetë i nxitur pikërisht me punën e neuroneve. Te ata që kanë jetë të mirë sociale, neuronet janë mjaftë aktive.
John Cacioppo, drejtor i Qendrës për Shkencën e Neuronëve në Çikago, vërteton se marrëdhënia e mirë (në martesë ose në lidhje, si dhe me shokë-shoqe) ka ndikim të fuqishëm në aktivitetin tonë neuronik dhe të arterieve të gjakut.
Po kështu, Cacioppo thekson se armiqësia e dikujt ndaj nesh mund të na e ngritë tensionin e gjakut, ndërsa zemërimi ynë mund t’ia rrisë atij mundësinë e sëmurjes nga sëmundjet e zemrës ose sëmundjet e trurit. Kështu, secili prej nesh është armik potencial biologjik. Mirëpo, vërtet, sa mund të na ndihmojnë shokët që të shërohemi?
Të dhënat flasin se personat të cilët kanë marrëdhënie më të mira sociale, kanë 2-3 herë më pak rrezik që të sëmuren, se të tjerët, jetojnë më gjatë dhe reagojnë më mirë ndaj ilaçeve – ka vërtetuar Bert Uchino.
Me praninë e përhershme të miqve-shoqeve dhe marrëdhëniet e mira me partnerin ose me familjarët, kanë treguar përjetim më të vogël të stresit dhe të depresionit, ndërsa mundësitë e sulmeve në zemër ose në tru janë zvogëluar për 50 për qind. Përveç kësaj, nuk duhet harruar se vizita e shokëve te personi i sëmurë është hap i madh drejt shërimit të tij.