Një miqësore vlen gjithmonë për të nxjerrë mësime, dhe nga ky rregull nuk bën përjashtim as sfida e fituar nga Shqipëria ndaj Katarit. Pavarësisht rezultatit 3-1, ky 90 minutësh tregoi aspektet pozitive, por edhe negative të kuqezinjve në këtë moment. Pavarësisht kundërshtarit të lehtë në letër, miqësorja duhet vlerësuar si pozitive, në aspektin e gjetjes së ritmit, por dhe të harmonisë. Gjithashtu pozitive ishte dhe aktivizimi i një pjese të mirë të futbollistëve, por edhe ndryshimet taktike gjatë saj. Në përgjithësi sfida shkoi mirë, por goli i pësuar që në fillim duhet analizuar me kujdes, pasi në kampionatin europian duhen eliminuar të tilla surpriza të pakëndshme. Nëse Katari e kishte të pamundur administrimin e avantazhit sigurisht që në Francë do të kemi përballë skuadra më eksperte që nuk hedhin tutje të tilla dhurata.
Mbrojtja ka qenë arma më e fortë e kombëtares shqiptare gjatë eleminatoreve, por ndaj Katarit nuk ishte testi i vërtetë për këtë repart. Miqësorja e radhës ndaj Ukrainës do të jetë testi i vërtetë për të kuptuar formën e mbrojtjes në tërësi dhe të individëve në veçanti. Një nga 3 golat u realizuan nga sulmi, pikërisht Armando Sadiku me atë super gol të tij. Reparti i avancuar është më i rëndësishmi në një skuadër që synon të avancojë më tej, dhe fakti që De Biasi aktivizoi futbollistë të ndryshëm gjatë të gjithë takimit tregon se, trajneri ende nuk e ka fiksuar se kush do të jetë i lojtari i duhur për të udhëhequr skuadrën. Me këtë miqësore, italiani i stolit kuqezi ndoshta ka hequr dilemat për 23 futbollistët që do të marrë me vete në Francë, teksa për të vendosur rreth formacionit do t’i duhet edhe miqësorja me Ukrainën, e cila vlerësohet në maksimum, duke parë emrin dhe forcën e kundërshtarit.