Problemet me procedurat e ndërtimit nuk janë shqetësuese vetëm për qytetarët në zonat rurale dhe urbane, por edhe për sektorin e ndërtimit.
Kompanitë e fushës e konsiderojnë miratimin nga njësitë vendore të një leje ndërtimi si hallkën më problematike në punën e tyre.
Ilir Hebovija, nga shoqata e ndërtuesve, thotë se njësitë vendore mbajnë peng me muaj të tërë zbardhjen e një leje, duke prodhuar kosto financiare për kompanitë.
“Ne kemi kërkuar në mënyrë të vazhdueshme që të respektohet ligji i miratuar. Afate ligjore janë që për 90 ditë. Bashkitë duhet të kthejnë një përgjigje, në të kundërt heshtja quhet miratim. Por ky afat jo vetëm që nuk zbatohet, por ai merr muaj të tërë, mbi një vit kohë për të miratuar një leje. Ndërkohë edhe hallka e dytë, miratimi në heshtje, edhe pse e sanksionuar me ligj nuk zbatohet. Ndaj për të gjithë këtë situatë bizneset kanë kosto, pasi një milion lekë të bllokuara në pritje të lejes, e cila nuk mund të parashikohet se kur miratohet”, sqaroi Hebovija në Vizon Plus.
Sipas Ilir Hebovijas pushteti lokal dhe ai qendror e shikojnë ndërtimin si një sektor ku mund të vjelin sa më shumë para për buxhetin, dhe asnjëherë si një sektorë që të zbutet nga kosto e larta që rëndojnë, të cilat në finale i paguan edhe qytetari./vizionplus.tv