Mirela Karabina kërkon transparencë nga Bashkia e Elbasanit: Elbasani meriton më shumë

Kandidatja për deputete e Koalicionit Euroatlantik në qarkun e Elbasanit, Mirela Karabina, ka dalë publikisht me një thirrje të drejtpërdrejtë ndaj Bashkisë së Elbasanit për transparencë dhe llogaridhënie. Në një reagim të shpërndarë në rrjetet sociale dhe në media, Karabina përmend një sërë shqetësimesh të ngritura nga qytetarët në takimet e saj të përditshme me ta – përfshirë nxënës, prindër, pensionistë dhe profesionistë të ndryshëm.

Ajo thekson se ka dorëzuar dy kërkesa zyrtare për informim pranë Bashkisë, ku kërkon publikimin e dokumentacionit për tenderat, kontratat dhe procedurat që lidhen me investimet publike dhe administrimin e shërbimeve në qytet. Sipas saj, Elbasani është kthyer në një kantier të hapur ndërtimi, por pa informacion të qartë dhe të aksesueshëm për qytetarët mbi afatet, kostot dhe përfitimet reale.

Në qendër të kritikave të saj janë tenderi për rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimeve në Bulevardin “Qemal Stafa”, kostoja dhe funksionimi i incerenatorit, papunësia dhe mungesa e transparencës në Zyrën e Punës, vonesat në ndërtimin e shkollës “Kostandin Kristoforidhi”, si dhe mungesa e informacionit mbi ndërhyrjet në zonën historike të Kalasë së Elbasanit.

Karabina ngre pyetje të drejtpërdrejta për të cilat kërkon përgjigje publike dhe konkrete, duke theksuar se qytetarët janë lodhur nga arroganca dhe premtimet boshe. Ajo i bën thirrje qytetarëve të Elbasanit që më 11 maj të zgjedhin ndryshimin, duke u rreshtuar me transparencën dhe llogaridhënien.

Në vijim, reagimi i plotë i Mirela Karabinës:

 

Sot jam këtu për të kërkuar transparencë dhe llogaridhënie nga Bashkia e Elbasanit nisur nga shqetësimet e marra në takimet më nxënës, prindër, pensionistë, profesionistë të fushës, qytetarë për një sërë çështjesh që prekin drejtpërdrejt jetën e tyre.

Dje dhe sot kam dorëzuar dy kërkesa për informim, drejtuar Kryetarit të Bashkisë në lidhje me:

1. Tenderi për punimet në Bulevardin “Qemal Stafa” dhe rrjetin e ujësjellësit e kanalizimeve:
Kërkoj publikimin e plotë të dokumentacionit për tenderin. A janë zbatuar të gjitha procedurat ligjore? Kur përfundon dhe kur do të kemi ujë 24 orë? Pse zvarriten punimet?

2. Kostoja e Incerenatorit:
Sa i kushton Bashkisë ky infrastrukturë çdo vit? A ka transparencë mbi kontratat dhe pagesat? A funksionojnë të tri proceset: grumbullim, përpunim, incenerim?

3. Zyra e Punës:
Sa persona janë punësuar që prej 2013-ës përmes saj? Sa punonjës ka aktualisht Bashkia?

4. Papunësia në Elbasan:
Cili është numri real i të papunëve? Çfarë masash janë marrë për punësimin e të rinjve?

5. Shkolla “Kostandin Kristoforidhi”:
Pse nuk përfundoi në qershor 2023 siç ishte planifikuar? Pse nxënësit u futën në prill – pikërisht në muajin elektoral?

6. Tenderat për shkollat:
Cilat janë kompanitë fituese dhe fondet e përdorura për ndërtim dhe rikonstruksion?

7. Kalaja e Elbasanit:
Çfarë punimesh janë bërë? Ka pasur mbikëqyrje arkeologjike? A është ruajtur identiteti historik?

Elbasani nuk mund të ecë përpara pa transparencë, pa llogaridhënie dhe pa një qeverisje që i shërben qytetarëve dhe jo interesave të ngushta klienteliste. Nuk do të ndalem së kërkuari të vërtetën dhe drejtësinë për qytetin tonë.

Elbasani dhe qytetarët e tij meritojnë përgjigje të qarta dhe jo premtime boshe dhe arrogancë. Elbasani meriton më shumë. Shqipëria meriton më shumë.

Ndaj më 11 maj zgjidhni:
O Shqipërinë, o Edi Ramën,
O dritën, o errësirën.

#voto4
#koalicionieuroatlantik
#mirelakarabina
#ElbasaniKërkonTransparencë
#LlogaridhënieTani

 

 

 

 

Exit mobile version